Çmenduri për Shqipëri-Serbi, biletat shkojnë deri në 1.3 milionë lekë të vjetra në tregun e zi
E shtuna e 7 qershorit sjell një nga përballjet më të zjarrta dhe të ndjeshme në rajonin e Ballkanit, Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ku interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm.
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se numri i aplikimeve për bileta ka kaluar çdo parashikim, duke arritur në rreth 200 mijë kërkesa nga tifozët shqiptarë dhe të huaj. Kjo ka detyruar FSHF-në të shtyjë afatin e shortit elektronik deri më 4 qershor, për të mundësuar një përzgjedhje më të drejtë përmes sistemit.
Ndërkohë, ka nisur edhe procesi i shpërndarjes së biletave për të përzgjedhurit nga shorti elektronik. Fituesit po pajisen me biletat përmes platformës zyrtare të FSHF-së, ndërsa të gjithë aplikuesit janë të ftuar të kontrollojnë rregullisht adresat e tyre elektronike për të parë nëse kanë marrë njoftimin.
Por ndërsa sistemi zyrtar ka funksionuar përmes një shorti transparent, tregu i zi ka përfituar nga kërkesa marramendëse. Në platforma të njohura të shitjes së biletave si “Viagogo”, çmimet kanë arritur nivele të paprecedenta: nga 170 euro për vendet më të lira, deri në 1.3 milion lekë për një biletë në tribunën kryesore. Një shifër që konfirmon çmendurinë që ka përfshirë këtë takim historik.
Atmosfera në Tiranë pritet të jetë elektrizuese më 7 qershor, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa të forta sigurie për mbarëvajtjen e eventit sportiv që ka rëndësi të madhe jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në arenën rajonale.
KOHA JONË SONDAZH

