Coutinho injoron rikthimin në Premier League, ja dy alternativat e fundit

Philippe Coutinho është drejt largimit nga skuadra e Barcelonës, por mesfushori brazilian nuk dëshiron që të rikthehet në Premier League. Sipas gazetës katalanase “Sport”, Liverpooli nuk është i interesuar për të, duke bërë që të mos shqyrtojë asnjë mundësi tjetër në Angli.

Manchester United, Tottenham Hotspur, Arsenal janë interesuar vazhdimisht për brazilianin gjatë kësaj vere, por asnjë prej tyre nuk kanë mundur që të mbyllë marrëveshjen me të.

Pavarësisht se merkato mbyllet në Angli këtë të enjte, në pjesën tjetër të Europës mbetet e hapur edhe për disa javë, deri në 18 gusht në Itali dhe deri më 2 shtator në Gjermani. Këto janë edhe dy destinacionet e mundshme ku Barcelona do të përpiqet të dërgojë lojtarin, saktësisht te Juventus ose Bayern Munchen.

Edhe pse pagoi 160 milionë euro për të në janar 2018, Coutinho nuk shihet më si pjesë e klubit dhe drejtuesit janë të vendosur ta shesin për të siguruar sa më tepër fonde për të rikthyer Neymar, objektivin numër 1 për këtë verë. Mundësia më e madhe është që 27-vjeçari të largohet në formë huazimi, me mundësi blerje.

SHKARKO APP