
Cristiano Ronaldo është shpallur fitues i çmimit BOAT, një vlerësim i prezantuar si nismë e UEFA-s në bashkëpunim me revistën “France Football”, për të përzgjedhur fituesin më të madh të Topit të Artë përmes votimit të publikut.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë qenë protagonistët kryesorë të një tjetër përballjeje simbolike, këtë herë jashtë fushës së blertë. Sipas informacionit të publikuar për çmimin BOAT, ylli portugez ka zënë vendin e parë në votim, duke lënë pas rivalin e tij argjentinas.
Ronaldo u rendit në krye falë Topit të Artë të fituar në vitin 2008, kur ishte pjesë e Manchester United. Në vendin e dytë përfundoi Lionel Messi, me çmimin e fituar në vitin 2012, ndërsa portugezi siguroi edhe vendin e tretë falë triumfit të tij në vitin 2017.
Në këtë votim u përfshinë dhjetë emra të mëdhenj të historisë së futbollit, të cilët kanë fituar të paktën dy herë Topin e Artë.
Lionel Messi kryeson listën e fituesve me tetë trofe, ndërsa Cristiano Ronaldo ka fituar pesë herë këtë çmim individual. Në mesin e legjendave të përfshira në garë ishin edhe Marco van Basten, Michel Platini dhe Johan Cruyff, me nga tri Topa të Artë secili.
Lista plotësohej nga Ronaldo Nazário, Franz Beckenbauer, Kevin Keegan, Alfredo Di Stéfano dhe Karl-Heinz Rummenigge, të gjithë emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e futbollit botëror.
Si funksiononte votimi?
Sipas detajeve të bëra publike për këtë nismë, tifozët kishin mundësinë të votonin kundrejt një pagese prej një euroje për çdo votë. Mes pjesëmarrësve parashikohej gjithashtu një short për dy bileta për ceremoninë e Topit të Artë në vitin 2027.
Megjithatë, përtej rezultatit të këtij votimi, karriera e Ronaldos mbetet një nga më të suksesshmet në historinë e futbollit. Portugezi fitoi Topin e tij të parë të Artë në vitin 2008, me fanellën e Manchester United, përpara se të triumfonte edhe në vitet 2013, 2014, 2016 dhe 2017, gjatë periudhës së tij te Real Madridi.
