Cristiano Ronaldo rikthehet nga dëmtimi pas 1 muaji mungesë
Rikthim i rëndësishëm për Cristiano Ronaldo, i cili ka lënë pas dëmtimin muskulor në kofshën e djathtë dhe është gati të rikthehet në fushë, duke rinisur objektivin e madh të karrierës: golin e 1000-të.
Sulmuesi portugez ka rifilluar stërvitjen dhe është grumbulluar nga Al Nassr për sfidën e radhës në Saudi Pro League kundër Al-Najma. Ndeshja e sotme pritet të shënojë rikthimin e tij në aksion, pas mungesës gjatë gjithë muajit mars.
Ronaldo u dëmtua më 28 shkurt në përballjen ndaj Al-Fayha, një problem që e detyroi të humbiste edhe grumbullimin me Portugalia. Gjatë javës së fundit, ai ka intensifikuar përgatitjet për të qenë në formën optimale.
Interesant është fakti se goli i tij i fundit, i 965-ti në karrierë, erdhi pikërisht ndaj Al-Najma, kundërshtari i radhës. Tani, në moshën 41-vjeçare, Ronaldo synon të afrohet edhe më shumë me shifrën historike prej 1000 golash.
Skuadra e drejtuar nga Jorge Jesus kryeson kampionatin me 67 pikë, tre më shumë se rivalët e Al Hilal, që drejtohen nga Simone Inzaghi. Me tetë javë të mbetura deri në fund të sezonit, rikthimi i Cristiano Ronaldo konsiderohet vendimtar për ambiciet e Al Nassr në garën për titull.
KOHA JONË SONDAZH

