De Biasi: Ndaj Armenisë, Shqipëria e favorizuar nga faktori fushë
Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, ka ftuar deri më tani 17 futbollistë për ndeshjen ndaj Armenisë, e cila luhet më 29 mars, në kuadër të eliminatoreve “Euro 2016”. Edhe 5 futbollistë të tjerë që do të thirren, duke pasur parasysh që numri i ftesave ndaj futbollistëve duhet të jetë 22, do të dihen në dispozicion të trajnerit kuqezi javë para fillimit të ndeshjes. Dilemat janë për Sabien Lilaj e Orges Shehi të Skënderbeut, apo për legjionarët, Edmond Kapllani, Hamdi Salihi, Valdet Rama, e Ledian Memushaj. Po ashtu edhe futbollisti me origjinë shqiptare Naser Aliji, mund të jetë zyrtarisht në dispozicion të trajnerit Gianni de Biasi, pasi është pajisur me pasaporta shqiptare pak kohë më parë.
Biletat
Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët dhe të interesuarit se ka filluar sot shitja e biletave për ndeshjen Shqipëri – Armeni, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, më 29 Mars, ora 18:00. Pikat e shitjes se biletave për këtë event do të jenë pranë biletarisë së stadiumit “Qemal Stafa”, në Tiranë dhe pranë biletarisë së stadiumit “Elbasan Arena”. Biletat për këtë event shiten gjithashtu edhe “on-line”, që prej më shumë se dy javësh. FSHF njofton të gjithë tifozët se stadiumi “Elbasan Arena” është i pajisur me sistemin elektronik të kontrollit të biletave dhe biletat e prodhuara për këtë ndeshje kanë elemente sigurie të nivelit më të lartë, të dukshëm dhe të padukshëm në sytë e lirë.
Armenia
Ndaj kuqezinjve në Shqipëri e kanë të vështirë të marrin pikë edhe ekipet e mëdha të kontinentit, ndaj edhe Armenia, një kundërshtar që pretendon të dalë pa humbje nga Elbasani, do ta ketë të vështirë të përballojë entuziazmin kuqezi. Të tillë mendim ka ndarë trajneri Gianni De Biasi për mediat armene, para ndeshjes së 29 marsit. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi, është intervistuar nga agjencia e lajmeve e Armenisë, “Armenews” para takimit kualifikues të 29 marsit. – “E njoh mirë kombëtaren e Armenisë, e cila ka ndryshuar në këto kualifikime me sistemin e lojës të teknikut, Challandes dhe futbollistin më të mirë, Mkhtaryan,” – tha italiani. Cilat janë pritjet e juaja para takimit të kombëtareve? – “E di se do të jetë një takim i vështirë për ne, por duam të shfrytëzojmë epërsinë e fushës sonë.” I pyetur se çfarë ai ka keni dalluar nga takimet e deritashme të Armenisë, de Biasi përgjigjet: – “Takimet vendase ishin shumë të mira, mendoj se ndaj Serbisë, Armenia e meritoi fitoren. Ndaj Portugalisë kanë luajtur mirë, ndërsa vlerësimi i njëjtë është edhe ndaj Danimarkës,” – theksoi Gianni De Biasi. Ai ka folur edhe për ekipet e favorizuara në grupin I. –“Mendoj se Portugalia e Danimarka do të shkojnë në Francë. Për vendin e tretë luftojnë tri ekipe”, – theksoi trajneri De Biasi
KOHA JONË SONDAZH

