De Biasi, njeriu që duhej përcjellë me tifozë

Pas konferencës së dhënë sot me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku deklaroi largimin nga drejtimi i kombëtares, Gianni De Biasi është larguar nga Shqipëria.

Trajneri i njohur italian është fotografuar sot në aeroportin e Rinasit, teksa nisej për në vendin e tij të lindjes.

Zëvendëskryeredaktorja e “Koha Jonë”, Albina Gjergji ka zhvilluar një bisedë të shkurtër dhe njëherësh ka realizuar disa foto me tashmë ish-trajnerin Kuqezi, teksa De Biasi largohej nga Tirana.

Ikja e tij pas 6 vitesh drejtim të kombëtares duket se nuk ka qenë siç pritej. Në aeroport nuk ka qenë askush nga federata dhe as nga tifozët që e kanë shoqëruar ekipin në ditën e mira dhe ditët këqija. De Biasi është i vetmi trajner që e çoi Shqipërinë në majat e futbollit ndërkombëtar. Për herë të parë në historinë e Federatës Shqiptare, nën drejtimin e De Biasit, kombëtarja u kualifikua në Europian.

Ndërkohë në 6 vite, nga një skuadër modeste, futbolli shqiptar njohu nivelet më të larta duke u përballur me ekipe të futbollit elitar botëror.

Për gjithë emocionet, medaljet dhe krenarinë që De Biasi na ka dhënë gjatë këtyre viteve, ikja e tij nga Tirana duhej të ishte me dinjitoze. Ata mijëra tifozë që dikur e gdhinin në aeroport në prije të kuqezinjve duhet të ishin sot në shenjë mirënjohje dhe në përcjelljen e një legjende të drejtimit të kombëtares.

Po ashtu edhe politikanët që dikur shtyheshin dhe zinin radhë për të pasur një foto me De Biasin, sot duhej të ishin në krah të njeriut që i dha dinjitet futbollit. Por në fakt nuk ishin as mediat, që gjithë këto vite nuk kanë lënë moment pa gjurmuar nga jeta dhe aktivitetet e trajnerit të kombëtares.

Kjo mungesë mirënjohjeje ndaj një italiani që bëri më shumë se kushdo për futbollin shqiptar, neve nuk na bën nder. Thjeht tregon se lavdet dhe mburrjet kanë qenë servilizëm dhe interes i ditës, siç ndodh shpesh me politikën dhe mediat shqiptare.

De Biasi me shumë se kushdo meritonte një: FALEMINDERIT!

SHKARKO APP