Del e vërteta, Manaj u ndëshkua prej golit fantastik
Rey Manaj vijon të ketë probleme me klubin e Albacetes.
Lushnjari javën e kaluar u kthye në një çështje në Spanjë pasi trajneri i Alabacetes e ndëshkoi duke mos e lejuar të stërvitej me skuadrën ndërkohë që nuk e grumbulloi për takimin ndaj Cadiz. Tashmë është zbuluar edhe arsyeja se përse Manaj u konfliktua me trajnerin Ramis.
Mediat spanjolle shkruajnë se Manaj para ndeshjes me Fuenlabrada ku nuk luajti titullar, ka kërkuar me zë të lartë shpjegime nga tekniku Ramis. Argumenti që ai ka shpalosur në sy të shokëve të skuadrës, ishte pikërisht goli që kishte shënuar me përfaqësuesen shqiptare në fillimin e asaj jave ndaj Moldavisë.
Lojtari ka insistuar se ishte në formë për të luajtur si titullar pasi vetëm pak ditë më parë kishte gjetur rrjetën në mënyrë spektakolare me fanellën kuqezi. Për këtë motiv trajneri Ramis e ka cilësuar si një mungesë respekti ndaj shokëve të skuadrës.