Del Piero shpërthen për situatën e Italisë: Nuk duhet të mendojmë për të shpëtuar b… tonë!
Ish-kapiteni i Juventus dhe legjenda e futbollit italian, Alessandro Del Piero, ka bërë një analizë të ashpër mbi krizën e thellë që po kalon Italia, pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupa e Botës për herë të tretë radhazi.
Në një intervistë për Sky Calcio, Del Piero nuk i kurseu kritikat, duke përshkruar situatën me tone të forta: “Ka shumë ndjenja negative: trishtim, zemërim, zhgënjim dhe mosbesim. Herën e parë ishte një shok, të dytën një makth, ndërsa e treta është e turpshme për t’u justifikuar”.
Sipas tij, përgjegjësia nuk duhet të bie mbi individë të veçantë si Gennaro Gattuso, Gianluigi Buffon apo Gabriele Gravina, por është një problem i thellë strukturor.
“Jemi shumë prapa, jo vetëm krahasuar me standardet tona, por edhe me vende si Franca dhe Gjermania, të cilat kanë pasur guximin të rindërtohen nga e para”, theksoi ai.
Del Piero ndaloi edhe te problemet bazë të futbollit italian, duke veçuar sektorët e rinj, mungesën e investimeve dhe infrastrukturën: “Duhet analizuar pse futbolli i meshkujve ka probleme, ndërkohë që futbolli i femrave dhe sportet e tjera po arrijnë suksese. Problemet janë te akademitë, stadiumet dhe mënyra si menaxhohet sistemi”.
Ish-numri 10 kërkoi më shumë përulësi dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet: “Duhet të pranojmë se nuk jemi më të mirët, as të dytët apo të tretët. Krenaria duhet lënë mënjanë, duhet punë dhe përulësi”.
Në fund, ai dha edhe një mesazh të fortë për drejtuesit e futbollit italian, duke nënvizuar mungesën e vizionit afatgjatë: “Nuk është vetëm çështje parash, por projektesh serioze. Duhet kohë për të ndërtuar diçka të qëndrueshme. Shembujt janë aty: Gian Piero Gasperini te Atalanta dhe Carlo Ancelotti në karrierën e tij. Futbollistët nuk krijohen menjëherë, por formohen dhe zhvillohen me durim”.
KOHA JONË SONDAZH

