Dembele sfidon Mbappe-n për “Topin e Artë”: Trofeu do të mbetet te një lojtar i PSG-së!
Numërimi mbrapsht për ceremoninë e “Topit të Artë” ka ndezur edhe më shumë debatin rreth favoritëve për çmimin individual më prestigjioz në futboll.
Në qendër të vëmendjes është Kylian Mbappe, i cili ditët e fundit nuk e ka fshehur ambicien për të fituar trofeun. Sulmuesi i Real Madridit ka theksuar se aktivizimi në klubin madrilen e vendos natyrshëm mes kandidatëve kryesorë.
“Kur luan për Real Madridin, klubin më të mirë në botë, është e pashmangshme të lidhesh me këto çmime. Këtë verë bëra histori në kompeticionin më të rëndësishëm, por rruga është ende e gjatë. Topi i Artë jepet nga gazetarët dhe do të jenë ata që do të vendosin”, u shpreh Mbappé.
Deklaratat e francezit kanë shkaktuar diskutime si në Francë, ashtu edhe në Spanjë, veçanërisht për tonin e sigurt të sulmuesit.
Përgjigjja nuk ka vonuar dhe ka ardhur nga Ousmane Dembélé, fituesi i edicionit të fundit të “Topit të Artë” dhe një prej protagonistëve kryesorë të sezonit të jashtëzakonshëm të Paris Saint-Germain.
Në një intervistë për France Football, sulmuesi francez dha favoritët e tij dhe ishte i qartë në parashikimin e tij:
“Nuk mendoj se ky trofe është aq i pasigurt. Besoj se do të mbetet në duart e një lojtari të PSG-së.”
Dembélé zbuloi edhe podiumin e tij personal, duke përfshirë në të Khvicha Kvaratskhelian, Harry Kane dhe Kylian Mbappén.
“Podiumi im? Kvaratskhelia, Harry Kane, i cili ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, dhe Kylian Mbappé”, deklaroi ai.
Pavarësisht se është fituesi në fuqi, Dembélé nuk e sheh veten mes favoritëve kryesorë dhe preferon të mos votojë për veten.
“Unë nuk votoj kurrë për veten. Nuk mendoj në këtë mënyrë”, tha francezi.
Ai më pas përmendi edhe disa emra të tjerë që, sipas tij, meritojnë vëmendje në garën për trofeun, mes tyre Michael Olise, Lamine Yamal, Fabián Ruiz dhe Willian Pacho.
Në veçanti, Dembélé kërkoi që mbrojtësi i PSG-së të mos harrohet në këtë garë: “Shpresoj që Pacho të mos harrohet, sepse ka zhvilluar një sezon të madh.”
KOHA JONË SONDAZH

