Dëmtohen në Angli dy yjet e Galatasaray-it, njëri u përplas me tabelën pas porte
Një mbrëmje për t’u harruar për Galatasaray në “Anfield”, ku skuadra turke u eliminua nga UEFA Champions League pas humbjes së thellë 0-4 ndaj Liverpool.
Përveç rezultatit të rëndë, trajneri Okan Buruk ka marrë edhe lajme shqetësuese nga infermieria, me dy nga lojtarët kryesorë që kanë pësuar dëmtime serioze.
Situata më e rëndë duket ajo e Victor Osimhen. Sulmuesi u detyrua të largohej nga fusha që në pushimin mes pjesëve pas një goditjeje në krah. Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar një frakturë në parakrahun e djathtë. Lojtari është vendosur menjëherë në allçi, ndërsa vendimi për një ndërhyrje kirurgjikale do të merret në ditët në vijim.
Ndërkohë, edhe Noa Lang ka pësuar një incident të rëndë gjatë pjesës së dytë. Në minutën e 75-të, ai u përplas fort me tabelat reklamuese anës fushës, duke marrë një prerje të thellë në gishtin e madh të dorës së djathtë. Klubi ka bërë të ditur se lojtari do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Liverpool.
Humbja dhe dëmtimet e shumta komplikojnë ndjeshëm situatën e Galatasaray-t në prag të ndeshjeve të ardhshme, duke vënë në pikëpyetje disponueshmërinë e dy prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës.
KOHA JONË SONDAZH

