Derbi Dinamo-Partizani s’ka fitues, në Elbasan s’mungon dhe kartoni i kuq (VIDEO)
Dinamo dhe Partizani nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në derbin e parë mes tyre. Sfida e luajtur në “Elbasan Arena” prodhoi jo pak emocione, teksa nuk mungoi edhe kartoni i kuq për ekipin e Dinamos.
Ndeshja nisi mjaft mirë për dinamovitët që do të gjenin dhe golin e avantazhit. Në minutën e 15-të, Ibraimi arrin që të shfrytëzojë më se miri një aksion të gjatë duke e dërguar topin në cepin e portës së portierit Hoxha, i cili nuk kishte asnjë shans reagimi. Partizani tenton të reagojë me Tedi Carën, por portieri Harizaj arrin që ta ndalë mjaft mirë. Në fundin e pjesës së parë arbitri Cjapi pas konsultimit me VAR ndëshkoi me karton të kuq Sofranak pas një ndërhyrje të ashpër.
Me avantazhin numerik, Partizani hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit në fraksionin e dytë. Harizaj bëhet heroi i bluve teksa në dy raste arrin të ndalë Carën. Ky i fundi ndërkohë bëhet protagonist në minutën e 76-të duke fituar një penallti, pas një faulli në zonë. Nga pika e bardhë Stenior Junior e ekzekuton në mënyrë perfekte. Në minutat e mbetura Partizani nuk arriti që të shënonte një tjetër gol, ndërkohë që Dinamo dhe për shkak të faktit që ishte me një lojtar më pak i gëzohet kësaj pike të marrë. /R.Lika-Koha Jone/