Derbi i Italisë edhe në merkato, Inter dhe Juve në garë për portierin Vicario
Derbi i Italisë nuk do të luhet vetëm në mbrëmjen e Shën Valentinit, kur tifozët e Interit dhe Juventusit do të ndahen mes dashurisë dhe pasionit për futbollin. Përballja mes dy gjigantëve italianë po merr formë edhe në merkato, ku objektivi i përbashkët është portieri i Tottenhamit, Guglielmo Vicario.
Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, si Interi ashtu edhe Juventusi kanë vënë në shënjestër gardianin italian, i cili konsiderohet një nga portierët më të kërkuar në futbollin europian.
Në kampin zikaltër, Vicario shihet si pasardhësi ideal i Yann Sommer. Portieri zviceran është në përfundim të kontratës dhe pritet të largohet në muajin qershor, ndaj drejtuesit e Interit kanë kohë që po punojnë për të siguruar një zëvendësues të denjë.
Nga ana tjetër, Juventusi është në kërkim të një portieri të nivelit të lartë për t’i dhënë më shumë siguri repartit defensiv. Drejtuesit bardhezinj kanë tentuar më herët të afrojnë Mike Maignan, por francezi u blindua nga Milani, duke detyruar “Zonjën e Vjetër” të orientohet drejt alternativave të tjera, me Vicario që kryeson listën.
Gara për firmën e 27-vjeçarit pritet të ndizet në muajt e ardhshëm, duke e kthyer sfidën mes Interit dhe Juventusit në një duel të fortë jo vetëm në fushë, por edhe në tregun e transferimeve.
KOHA JONË SONDAZH

