Dështon transferimi i sulmuesit të Milanit te Leipzig
Merkato e Milanit aktualisht është e bllokuar dhe shkak për këtë është bërë dështimi i transferimit të Noah Okafor te Leipzig. Dy klubet kishin rënë dakord për një huazim deri në fund të sezonit, me mundësi blerjeje. Sulmuesi zviceran udhëtoi drejt Gjermanisë, për të firmosur, por para se të bëhej kjo duhet të kalonte vizitat mjekësore.
Në testet e kryera, u zbulua se lojtari nuk është ende i gatshëm për të luajtur pas dëmtimit të pësuar pak kohë më parë. Në këtë situatë, Leipzig ka vendosur të tërhiqet, duke anuluar transferimin.
Lojtari rikthehet në Milano dhe bllokon merkaton e kuqezinjve. Te Milani duhet të shesin një tjetër sulmues, për të bërë afrime, ndërsa duhet gjetur një zgjidhje edhe për Okafor.