“Dhimbja është miku im”, poezia prekëse e talentit të Skënderbeut para se të ndërronte jetë
Dorian Tahirllari pas një lufte të gjatë, humbi ndeshjen më të madhe, atë me jetën. Ish-lojtari i të rinjve të Skënderbeut është ndarë nga jeta në moshën 18-vjeçare, duke prekur zemrat e të gjithëve që ishin njohur me rastin e tij.
Doriani vuante nga një tumor malinj dhe kishte kryer plot 5 operacione, por përsëri masa tumorale në trupin e tij ende nuk u zhduk. Vetëm një muaj më parë, Doriani, një njeri me ëndrra të mëdha, të cilat tashmë janë shuar të gjitha, shkruante një poezi shumë prekëse, ku thuhej se dhimbja ishte kthyer në mikun e tij.
Poezia e Dorian Tahirllarit:
Një ditë ku asgjë nuk ishte si ditët e tjera,
një ditë ku nuk kishte asgjë brenda saj.
Një ditë që të shurdhonte nga vetmia.
Një ditë ku mërzia dukej e zakonshme.
Një ditë ku dukej sikur dhimbja ishte miku im.
Një ditë ku lulet janë ujitur nga lotët e mi,
ku nëna lutej për shërimin e këtij djali.
Një ditë ku kujtova gjithçka…
Fëmijërinë time, fushën e gjelbërt, shokët e mi…
Një ditë ku lotoja dhe vuaja për ëndërrat, qëllimet dhe motivet e mia…
Kujtoja ditën kur lutesha për to e sot ato luten për mua…
Një ditë ku lutja është tek Zoti…
Dua t’i lutem atij për ëndrrat e mia.
Dua t’i lutem për mua…
Ishte një ditë që më kujtoi gjithë ato ditë…