Dhunë në Fushë-Krujë, lojtarët e Ilirisë sulmojnë rivalët e Skënderbeut. Ndeshja nuk zhvillohet, reagon dhe FSHF
Iliria-Skënderbeu është një prej ndeshjeve më të rëndësishme, që ishte programuar të luhej sot në kuadër të javës së 14-të të Kategorisë së Parë. Por para ndeshjes në stadiumin “Redi Maloku” janë sulmuar lojtarët e Skënderbeut dhe trajneri Ernest Gjoka.
Episodi i dhunshëm ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. Të dhunuar përveç Gjokës janë edhe Saleh Nasr, Altin Ukiçi dhe Mario Gjata.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar dhe FSHF, teksa ka njoftuar se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.
Ky takim ishte karakterizuar nga tensioni edhe në Korçë. Skënderbeu e fitonte 2 me 0 atë përballje me pretendentët për ngjitjen në Superiore.
Skënderbeu kryeson i pashqetësuar renditjen e Kategorisë së Parë. Iliria me 16 pikë më pak ndodhet në vendin e pestë.
KOHA JONË SONDAZH

