Djali i Rudi Vatës zgjedh Irlandën: Kurrë s’do të luajë për Shqipërinë!
Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, pritet të bëjë debutimin e tij me 15-vjeçarët e Irlandës, në sfidën kundër Polonisë. Ai është 14-vjeç dhe është pjesë e akademisë së Celtic, teksa ka zgjedhur të jetë pjesë e Irlandës, pasi është dhe origjina e mamasë së tij.
Në një prononcim për “The Scottish Sun”, ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, foli për të ardhmen e djalit të tij, teksa u shpreh: “Askush nga FSHF nuk më kontaktoi me mua për Rocco-n. E di që edhe Skocia e ka vëzhguar, por federata irlandeze ishte e para që ra në kontakt.
Njerëzit në Shqipëri e dinë përmes rrjeteve sociale se ai është zgjedhur nga Irlanda. Por nëse Shqipëria do të kishte qenë profesionistë, të tregonte ndonjë interes dhe të bënte detyrat e shtëpisë, ata do ta kishin njohur që Rocco po luante për Celtic dhe do të kishin kontaktuar me mua.
Çdo gjë mund të ndodhë në të ardhmen, por është Irlanda që ka qenë në kontakt dhe ka shfaqur interes dhe respekt. Ata nuk treguan asnjë lloj respekti, dëshire apo profesionalizmi dhe nëse nuk e bëjnë këtë, ai kurrë nuk do të luajë për Shqipërinë”.