Donald Trump kufizon hyrjen në SHBA për tifozë nga disa vende, 2 prej tyre janë kualifikuar në Botëror

Qeveria amerikane po vijon vendosjen e kufizimeve ndaj tifozëve të disa vendeve, në prag të Kupës së Botës 2026. Presidenti Donald Trump ka firmosur një dokument zyrtar që kufizon hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shtetasit e disa vendeve afrikane dhe të Lindjes së Mesme.
Listës ekzistuese, ku më parë përfshiheshin Irani dhe Haiti, i janë shtuar Burkina Faso, Mali, Nigeri, Sudani i Jugut, Siria, si dhe mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga autoriteti palestinez. Vendimi prek drejtpërdrejt tifozët që synojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e Botërorit në territorin amerikan.
Ndërkohë, për 15 vende të tjera do të aplikohen kufizime të pjesshme. Mes tyre janë edhe dy përfaqësuese të kualifikuara për Kupën e Botës 2026, Senegali dhe Bregu i Fildishtë. Masat nuk prekin sportistët dhe diplomatët, por tifozët me pasaporta të këtyre vendeve do të përballen me procedura më të ndërlikuara dhe kontrolle shtesë për marrjen e vizës.
Sipas autoriteteve amerikane, arsyeja zyrtare e këtyre kufizimeve lidhet me treguesin “visa overstay rate”, pra përqindjen e personave që qëndrojnë në SHBA përtej afatit të vizës. Ky tregues është rreth 4% për Senegalin dhe 8% për Bregun e Fildishtë.
Kupa e Botës 2026, e organizuar nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, do të nisë më 11 qershor. Bregu i Fildishtë bën pjesë në Grupin E, së bashku me Gjermaninë, Curaçaon dhe Ekuadorin, ndërsa Senegali është shortuar në një grup të fortë me Francën, Norvegjinë dhe një ekip që do të vijë nga “play-off”-et. Në prag të turneut, Senegali ka në program edhe një miqësore prestigjioze pikërisht kundër SHBA-së, më 31 maj në Charlotte.
KOHA JONË SONDAZH

