
Një episod i pazakontë ka shoqëruar triumfin e Borussia Dortmundit në transfertë ndaj Sabahut. Në vend që të kalonin në dhomat e zhveshjes për t’u larë pas ndeshjes, lojtarët e skuadrës gjermane hipën në autobusin e ekipit me uniformat e lojës dhe u drejtuan për në hotel.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, veçanërisht gazetës Bild, vendimi lidhej me shqetësimet për higjienën e sistemit të ujësjellësit në stadium. Në veçanti, dyshimet kishin të bënin me praninë e mundshme të bakterit Legionella, i cili mund të zhvillohet në sistemet e ujit dhe të transmetohet përmes thithjes së pikëzave të kontaminuara.
Megjithatë, drejtori sportiv i Dortmundit, Ole Book, u përpoq ta minimizonte çështjen, duke dhënë një shpjegim më të thjeshtë për vendimin e klubit.
“Dushet në hotel ishin thjesht më të mira. U siguruam që lojtarët të mbërrinin atje sa më shpejt të ishte e mundur. Dushet në stadium nuk ishin po aq komode”, deklaroi ai.
Vendimi i gjermanëve shkaktoi habi edhe në kampin e skuadrës vendase. Joy-Lance Mickels, futbollist i Sabahut, shprehu surprizën e tij për këtë situatë.
“Nuk e di cili është problemi. Nuk dua të nënkuptoj asgjë kundër Dortmundit, por ne jemi dushuar këtu javën e kaluar, përpara ndeshjes me Slavia Pragën. Dushet janë shumë të mira dhe uji nuk është as i ftohtë”, u shpreh ai.
