Dortmundi s’ka para për përforcime në merkato, shkak është bërë … kuzhina e stadiumit
Borussia Dortmund ka zhvilluar një merkato të zbehtë këtë verë, me vetëm një emër të ri në skuadër, atë të Jobe Bellingham, vëllai i yllit të Real Madridit, Jude Bellingham. 19-vjeçari anglez mbetet i vetmi përforcim deri tani, teksa klubi gjerman po përballet me vështirësi të mëdha financiare që po frenojnë çdo tentativë për të bërë afrime të tjera.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, një shpenzim i papritur prej 11 milionë eurosh ka goditur direkt buxhetin e klubit. Gjatë një inspektimi të kryer në stadium nga autoritetet e higjienës, është konstatuar se kuzhina e impiantit ishte jashtë standardeve dhe duhej zëvendësuar urgjentisht. Klubi është detyruar ta ndryshojë tërësisht, duke investuar një shumë të konsiderueshme që ka reduktuar ndjeshëm mundësitë për blerje lojtarësh.
Tashmë, buxheti në dispozicion për përforcime llogaritet mes 30 dhe 40 milionë eurove, një shumë që në tregun aktual mjafton për vetëm një ose dy lojtarë të nivelit mesatar. As të ardhurat nga pjesëmarrja në Champions League apo nga Kupa e Botës për Klube nuk kanë mjaftuar për të përballuar situatën.
Drejtori sportiv Sebastian Kehl dhe CEO Lars Ricken janë të detyruar të bëjnë zgjedhje të kujdesshme, ndërsa shpresat për të përmirësuar bilancin mbeten tek shitjet e mundshme të lojtarëve. /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

