Drejton një ekip në Gjermani, Bejzade: Shumë skuadra rrezikojnë falimentimin!

Emergjenca koronavirus megjithatë duket tashmë si më e përballueshme, aq sa në Gjermani kanë nisur stërvitjet e para të klubeve, gjithnjë nën masa kujdesi, ndërsa nuk është e ndaluar dalja në ambiente të jashtme. Të gjithë kërkojnë normalitetin, për të mos pësuar humbje drastike ekonomike që për nivelet e larta kapin qindra milionë euro, por situata është edhe më e vështirë në ligat inferiore e narmalisht shumë klube rrezikojnë falimentimin.

Skerdi Bejzade, ish-sulmuesi i Dinamos, Vllaznisë, Partizanit e Elbasanit, tani trajner i Arminia Hannover në Oberliga, niveli i pestë i futbollit gjerman, shpreh shqetësimin për situatën e krijuar.

“Shumë klube rrezikojnë falimentimin, jo vetëm në ligat inferiore, por edhe shumë skuadra profesioniste. Mendimi im është se varet shumë nga sponsor, sa të fuqishëm janë ata, por mbetet për tu parë çfarë do të ndodhë sepse e kam të qartë që edhe në Shqipëri situata e klubeve nuk është më e mirë”.

Deri në 19 prill nuk do të lejohet aktivitet sportiv në Gjermani, të paktën ky është vendimi i Federatës, një datë që është e afërt, por që me shumë mundësi nuk do të shtyhet më tej. Bejzade tregon planin stërvitor, që nuk është individual, por është vazhdimisht i ndryshueshëm: “Ne kemi një grup Ëhatsapp, ku komunikojmë. Edhe planin stërvitore e kemi njësoj, por, në fakt, nuk e dinim sa do zgjaste kjo situatë. Deri në 19 prill sipas njoftimit të Federatës nuk do zhvillohet asnjë stërvitje, kështu që vazhdojmë të ndryshojmë stërvitjen për të qenë gati”.

Arminia Hannover, klub ku Bejzade ka qenë edhe lojtar, renditet në vendin e 13 nga 18 skuadra me 23 pikë, edhe pse duhet thënë se nga vendi i tetë e ndajnë vetëm dy distanca, që skuadra e teknikut shqiptar shpreson t’i rikuperojë me rifillimin e kampionatit.

SHKARKO APP