Dueli Serbi-Shqipëri, TKZ organizohen për të mbështetur Kombëtaren
Atmosfera e derbit ballkanik po ndizet gjithnjë e më shumë. Grupimi i njohur i tifozëve shqiptarë, “Tifozat Kuqezi”, ka njoftuar një organizim të madh në Tiranë, për të mbështetur Kombëtaren shqiptare në sfidën ndaj Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, TKZ ftoi të gjithë tifozët kuqezi të mblidhen të shtunën në “Sheshin Italia”, ku do të vendoset një ekran gjigant për ndjekjen e ndeshjes: “Ashtu si në vitin 2014, të shtunën mblidhemi te ‘Sheshi Italia’ për të ndjekur së bashku ndeshjen kundër shkijeve, në një ekran të vendosur nga ne. Le të bashkohemi, të këndojmë me gjithë zemër dhe në fund të festojmë fitoren!”, shkruhet në njoftimin e “Tifozave Kuqezi”.
Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të enjten stërvitjen e fundit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, përpara nisjes drejt Nishit e më pas Leskovacit, ku do të luhet ndeshja.
Seanca u fokusua në përgatitjen fizike dhe taktike, me provime të skemave të ndryshme dhe ushtrime me topin, përfshirë edhe goditjet në portë.
Sipas njoftimit të Federatës, konferenca zyrtare për shtyp me trajnerin Silvinjo dhe një lojtar do të zhvillohet të premten në orën 16:30 në “Gradski Stadion Dubočica” në Leskovac, ndërsa stërvitja e fundit e ekipit do të nisë në 17:30, si përgatitje përfundimtare për duelin me Serbinë.
Para kësaj sfide, Shqipëria renditet e dyta në grup me 8 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Serbia ka 7 pikë me një takim më pak. Anglia kryeson me 15 pikë, duke qenë e shkëputur në krye të renditjes.
KOHA JONË SONDAZH

