Duka-Braçes: Na jep lekët dhe stadiumit i vëmë emrin tënd

Kritika për emrin e ri të stadiumit nuk kanë pasur vetëm qytetarët, por edhe zv.Kryeministri Erjon Braçe. Fjalëve të tij u është përgjigjur ironikisht kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Ai tha se komercializimi i emrit të stadiumit është një praktikë e ndjekur në të gjithë Europën dhe nuk është shpikur në Shqipëri. Mes ironisë Duka u shpreh se nëse Braçe ka kundërshtime, t’i japë ai lekët dhe stadiumit le t’i vëmë emrin e Erionit.

Kreu i FSHF-së vuri theksin tek rëndësia dhe vështirësia në financimin e stadiumit. Në vijim ai shtoi se Federata do të mundohet të mbajë shifrat e ish- “Qemal Stafës” për ekipet e kryeqytetit.

Duka u shpreh:

Nuk dua të bëj debat për emrin e stadiumit që mund të ishte “Qemal Stafa”, apo të ishte një prej lojtarëve të mëdhenj që ne kemi. Ky është një investim i FSHF-së me një donacion nga UEFA. Qeveria shqiptare na ka mbajtur padrejtësisht edhe TVSH-në, që duhet të na kthehet. Pjesa e komercializimit të emrit nuk u shpik nga ne, por bëhet në gjithë Europën. Stadiumi është edhe më i vështirë të mirëmbahet, pasi kemi nevojë për pjesën financiare. Nuk kam replikë me Erjon Braçen, por nëse ka kritika, atëherë t’i japë ai lekët dhe ia vendosim ne emrin e tij stadiumit. Ka shumë vështirësi në mirëmbajtjen e stadiumit dhe do të mundohemi që ky stadium të përdoret nga klubet shqiptare dhe të mos përdoret vetëm si një monument për t’u përdorur nga Kombëtarja. Ne do mundohemi të mbajmë për ekipet e kryeqytetit shifrat e ish-Qemal Stafës. Me zgjidhje më të mirë se Arena Kombëtare, është e vështirë të ketë”.

Kujtojmë se emri i stadiumit të ri ngjan më shumë me emrin e një kompanie ajrore “Air Albania”, sesa me atë të një stadiumi. Heqja e emrit të Qemal Stafës ka sjellë reagime dhe pakënaqësi të shumta.

Gjithashtu, në vijim pritet që UEFA të vendosë nëse “Air Albania” i përmbush kushtet për t’u luajtur ndeshjet e mëdha, apo jo.

SHKARKO APP