Duka mesazh për përvjetorin e ndarjes nga jeta të Vokrrit: Na ka munguar në të gjitha dimensionet!
Si sot 2 vite më parë, humbi jetën në mënyrë krejt të papritur, ish-presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri, i cili kishte një lidhje speciale me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare kreu i Federatës së Shqiptare të Futbollit, u shpreh se vepra e Fadil Vokrrit nuk do të shuhet kurrë dhe se kontributi i tij për anëtarësimin e futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ka qenë madhor.
Mesazhi i plotë i Dukës:
“Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit, një figurë kyçe të futbollit shqiptar, Presidentin e FFK-së dhe mikun tim të dashur, Fadil Vokrrin. Në këto dy vite na ka munguar shumë në të gjitha dimensionet; si drejtues, si futbollist, si mik apo qoftë edhe si familjar në familjen e tij.
Gjithsesi, Fadili mungon fizikisht, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë, do të rikujtohet nga të gjithë ata, të cilët e kanë njohur nga afër, nga të gjithë ata të cilët e kanë parë si futbollist apo e kanë njohur si drejtues të Federatës së Kosovës. Jam shumë i bindur që kishte shumë për të bërë dhe do të bënte shumë për futbollin kosovar për zhvillimin e tij.
Me gjithë arritjet që pati në karrierën e tij dhe merita kryesore e tij për anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA, gjë të cilën futbolli kosovar po e ndjen sot dhe në zhvillimet e tij”, tha presidenti Duka.