Duka për mediat italiane: UEFA do të ketë një fond solidariteti për të ndihmuar federatat
Pas FIFA-s, edhe UEFA ka ndërmend të akordojë një fond solidariteti për të ndihmuar në këto muaj të vështirë ku bota e futbollit po përballet me vështirësi të mëdha. Konfirmimi ka ardhur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka pranuar për një radio italiane këtë nismë të organizatës ndërkombëtare, e cila insiston që kampionatet të mbyllen në fushë e jo në tavolinë.
“Në mbledhjen e djeshme me federatat u mor një vendim nga Komiteti Ekzekutiv për programet e të ardhmes, u anuluan miqësoret e përfaqësueseve në qershor, duke u shtyrë në shtator e tetor. Përveç kësaj u vendos që të mbylleshin kampionatet në fund të korrikut apo në fillimin e gushtit.
Nëse do të rezultonte e pamundur deri atëherë, të gjitha federatat do të jenë të lira të vendosin se çfarë do të bëjnë me kampionatet. Një gjë është e sigurt, deri në fillimin e gushtit, të gjithë do të shkojnë në një drejtim, me qëllimin për të mbyllur kampionatin.
Kontribut nga UEFA për Federatat? Kjo është një luftë që po e humbin të gjithë, jo vetëm futbolli, por çdo sektor. Sigurisht po mendohet për një fond solidariteti për të ndihmuar federatat, por është e pamundur të mbulohet gropa e krijuar nga COVID-19.
Nuk mund të jetojmë bashkë me virusin, futbolli është një sport kolektiv, me tifozë, dhe është e pamundur që të gjendet një mënyrë për të luajtur pavarësisht virusit “, tha Duka.