Duka zbulon sekretet e stadiumit: Nga çmimet e biletave te ardhja e Infantinos dhe Ceferin
Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, i ftuar për emisionin “Ora e Tiranës”, me moderatoren Fjoralba Ponari, që i ka drejtuar disa pyetje, është munduar të hedhë dritë mbi atë që na pret te Arena Kombëtare, e cila shumë shpejt do të ketë edhe një emër, duke qenë se do të shitet ekskluziviteti për të arkëtuar (300 mijë euro në sezon).
Numri “1” i futbollit e nis me pjesën ballore të stadiumit, ku monumenti i vjetër i ndërtuar në kohën e pushtimit italian në Shqipëri, nuk do të ndryshojë.
“Hyrja e stadiumit nuk ka ndryshuar, është siç ka qenë në vitin 1939-të. Brenda hyrjes gjithçka ka ndryshuar. Kemi nisur një proçes për të komericalizuar emrin e stadiumit. Një eksperiencë botërore. Nëse do isha unë i anketuar, apo i një fushe tjetër, do të thoja pse jo t’i vija një emër të një futbollisti apo një politikani. Ky stadium do financa për t’u mirëmbajtur. Nëse dikush financon, do isha dakord që të bënim një anket për emrin. Ky është stadium që pret një emër”.
Më pas, Duka tha se bëhet fjalë për një objekt që jo vetëm do luhet futboll, por do të vizitohet edhe nga turistë të ndryshëm. Është një muze me historinë e Tiranës. “Në pjesën e poshtme, nëpërmjet nënkalimit, futen sportistët dhe pjesa organizative e ndeshjes. Ka një paradhomë, si mencë, në të cilën futbollistët mund të hanë, para ndeshjes, ose pas ndeshjes. Do ketë dhoma masazhi për futbollistët, dhomë akulli për rikuperim”.
Një ndër debatet më të mëdha ka qenë çmimi i biletave të kripura, por Duka sqaron se “do të jetë afërsisht të njëjta siç kanë qenë edhe më përpara. Sipas rëndësisë së ndeshjes. Pak a shumë të njëjta siç kanë qenë në Elbasan apo në Shkodër”.
Tribuna VIP ka më shumë se 1000 vende. Në katin e tretë janë mediat dhe salla VIP. Ka pasur shumë komente dhe do ketë për kullën. Ne me shumë pak mundësi kemi një stadium të bukur. Kulla më duket një objekt i bukur dhe një simbol që të orienton te stadiumi. Nëse nuk do kishte një biznes, ishte e vështirë të kishte një stadium.
Hyrjet dhe stolat janë komode. Ka sheshpushime mes kateve. Hyrjet janë elektronike. Kontrolli i sigurisë është nivel i lartë. Një gjë e veçantë e këtij stadium është që asnjë spektator nuk mund të laget nga shiu, në asnjë lloj ere apo furtune. Në tribunën VIP streha nuk është në të njëjtin nivel”.
Sa i përket punimeve dhe fundit të tyre, Duka premton se do të jetë gjithçka gati që ndeshjen me Francën dhe Andorrën ta luajmë në “Arena Kombëtare”.
“Të dyja ndeshjes me Andorrën dhe Francën do të luhet në këtë stadium. Besoj deri në atë kohë do të ketë dhe një emër. Do të ketë një ceremoni madhështore. Do të jetë dhe president i UEFA-s dhe FIFA-s. Do të ketë një festë”.