Duro: E përjetuam keq humbjen me Tiranën, Teuta ekip i kompletuar!
Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro ka folur në prag të sfidës ndaj Teutës. Strategu i njohur zbuloi se humbja ndaj Tiranës është përjetuar keq nga skuadra e tij, ndërkohë që ka vlerësuar edhe rivalët e radhës.
“Është e vërtetë që kemi kaluar një moment jo të mirë pas ndeshjes me Tiranën. Skuadra ishte në situatë pozitive dhe kishim 3 muaj pa humbje në vendin e parë. Nuk e përjetuam mirë humbjen duke parë ngjarjen e ndeshjes. Ishim në avantazh deri në minutat e fundit dhe u mundëm, duke humbur edhe vendin e parë. Jemi munduar gjatë javës të përqendrohemi te loja për ndeshjen e radhës.
13 javë kampionat? Çdo javë ka rëndësinë e saj. Pjesa më e madhe e kampionatit ka mbaruar. Të gjitha skuadrat kanë gabuar dhe tani janë momente që çdo skuadër duhet të jetë e kujdesshme dhe flas për skuadrën.
Gjendja gripale? Kemi pasur probleme me disa lojtarë por shpresoj qe deri nesër të jetë grupi i plotë.
Momenti më i rëndësishëm? Ju e patë që një fitore me Tiranën do të na bënte në 70% të realizimit të objektivit. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Teuta është skuadër e kompletuar dhe është ndeshje e rëndësishme”, deklaroi Duro.