Duro: Fitore e rëndësishme me Vllazninë, rivali për titull është Bylisi
Shpëtim Duro po merr javë pas jave frytet e punës te skuadra e Kukësit, që po arrin të shkëputet nga rivalët. Strategu i verilindorëve u shpreh se ekipi i tij nuk ka nevojë për shumë përforcime, ndërkohë që vlerësoi Bylisin si rivalin e tyre për titullin.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme ndaj një skuadër kompakte dhe të organizuar. Kjo e shton vështirësinë dhe e prisja ndeshjen më të vështirë por duke iu referuar lojës, duhet zgjidhur më shpejt. Një gol krijoi tension dhe mund të rrezikohet fitorja.
Vllaznia kishte 4-5 situata për të shënuar dhe skuadra sot ka luajtur shumë mirë. Duhet ta kishim mbyllur dhe të ecnim më të sigurt por edhe kjo lojë me tension deri në fund ka kënaqësinë e saj.
Ne kemi shumë ndeshje që luajmë mirë sepse është ajo që skuadra po vjen e plotë si asnjë herë tjetër. Kondicioni fizik ka ardhur. Më prishi punë Musolli por edhe dëmtimi i Limajt. Po luajnë mirë dhe Et’hemi ka qenë shumë pozitiv sot.
Karabeci? Unë e vendos se kush vjen. Këtu është problemi se kam parë shumë emra por jemi skuadër e kompletuar. Nuk dua shumë lëvizje, 1-2-3. Nuk kam nevojë për më shumë. Ka konkurrencë por do të shohim në fund se çfarë do të bëjë.
Skuadra më e fortë pas Kukësit? Për mendimin tim është ajo që është në vendin e dytë. Bylisi!”, tha Duro.