Duro: Më frikësojnë mungesat te Partizani, ultimatum nga Gjici kam marrë që …

Trajneri Shpëtim Duro doli sot në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Partizanit. Strategu i njohur është shprehur se verilindorët do të futen në fushë për të marrë pikët e plota, ndërkohë që konfirmoi se Gjici ka të drejtë që të kërkojë llogari për investimet e bëra.

“Ndaj Partizanit do të jetë ndeshje interesante. Zhvillimi në impiant modern i shton bukurinë e rëndësinë këtij takimi. Fillon gjysma e dytë e kampionatit dhe gjithçka bëhet më e vështirë për të arritur në objektivin final. Është e drejtë që nuk morëm maksimumin ndeshjen e parë, por çdo ndeshje ka historinë e saj dhe janë gjëra që ndodhin në futboll. Kemi parë diçka të tillë edhe në kampionate europiane, por është e rëndësishme që, pas asaj paraqitjeje, duhet të reagojmë.

Kritikat? Kam parë shtypin këto ditë dhe pritshmëritë ishin që duhet të fitonim, por është bastarduar sikur Kukësi e ka lënë fare ndeshjen dhe nuk ka luajtur aspak. E kam parë e stërparë ndeshjen dhe e di që nuk kemi qenë aty ku duhet. Megjithatë, kemi pasur pesë apo gjashtë raste të pastra për të shënuar. Këto i kanë harruar fare dhe merren me vetëm dy tri raste të Luftëtarit sepse gjithmonë ai që është më inferior ka rëndësi më shumë ndaj një ekipi më të fortë.”

Partizani me mungesa? Nuk kemi asnjë avantazh. Nuk i marr parasysh aspak mungesat e Partizanit, sepse ata janë një skuadër me vlera, sepse janë Partizani. Kemi luajtur dy herë me Partizanin dhe kanë qenë me ekip super të plotë dhe në kemi arritur të marrim rezultat më të mirë se ata. Dhe kjo është ajo që më frikëson, pasi është krijuar ideja që Partizani ka mungesa. Unë i vlerësoj ata që mungojnë te Partizani, por i vlerësoj shumë edhe ata që janë në stol, sepse janë lojtarë me pagesa të larta. Partizani ka një skuadër ku çdo lojtar ka shumë vlera. Synimi jonë është fitorja, por në këtë lojë çdo rezultat është i pranueshëm.

Merkato? Skuadra është e plotë dhe nuk ka asnjë dëmtim. Jam pak i zhgënjyer, sepse kemi bërë një stërvitje me kushte shumë të mira dhe nuk e prisja të dështonim në ndeshjen e parë. Ndryshimi i ambientit dhe terreneve ndikon. Kemi kapacitetin dhe alternativat për t’i përballuar të gjitha ndeshjet me sukses. Kam kërkuar dy futbollistë pas largimit të Kitanovskit dhe Dakut. Njërin e pres këto ditë, nëse po punon klubi për çështje vizash. Është futbollist që e njoh dhe vjen nga Afrika. Kam kërkuar edhe një futbollist tjetër nga Shqipëria dhe, nëse do të vijë, do të jetë ndihmesë jo e vogël, por theksoj se edhe kështu siç jemi kemi kapacitetin e duhur për të përballuar aktivitetin.

Ndikimi i tifozëve Është e çuditshme, sepse e kam thënë që Kukësi në ndeshjet me Tiranën dhe Partizanin ka qenë mirë për sa i përket rezultateve. Fakti që ka pasur më shumë tifozë kundërshtarë nuk ka ndikuar, por mendoj se kjo i bën mirë për sa i përket ngacmimit. Kemi pasur ndeshje që kemi luajtur pa tifozë dhe kjo nuk na ka ndihmuar aspak për të dhënë maksimumin. Shpresoj të ketë sa më shumë tifozë të Kukësit nesër. E di që edhe Partizani do ketë shumë tifozë.

Objektivat i kemi përpara dhe është ndryshe kur del nga objektivat. Të harrojmë Luftëtarin. Përderisa nuk kam hyrë në merkato, tregon se skuadra është e plotë. Nuk përjashtoj asnjë skuadër të pretendojë për titullin kampion (Tirana, Partizani, Bylisi, Laçi e Teuta). Kemi pasur një fillim të mirë e ma pas disa oshilacione. Në Laç kemi pasur gjashtë mungesa. U rikthyem përsëri. Siç kemi bërë ne gabime, kanë bërë të gjithë, pavarësisht se të gjithë kanë bërë investime të mëdha, si Tirana e Partizani, e skuadra të tjera. Të jemi rivalizues deri në fund për objektivat.

Presioni? Të dy skuadrat vijmë pas rezultateve negative në ndeshjet e para. Sormani është trajner i sapoardhur dhe ka ambiciet e veta. Ka të drejtë që kërkon agresivitet dhe unë e kërkoj të njëjtën gjë te skuadra ime. Presioni është te të gjitha skuadrat kryesuese dhe jo më kot skuadrat i kanë ndërruar trajnerët. Presioni është te të gjitha skuadrat. Ka momente që trajneri ndërrohet edhe gabimisht. Unë kam gjashtë muaj te Kukësi dhe kemi punuar në një ambient të qetë pa asnjë lloj presioni.

Kërkesat e Gjicit? Pa diskutim që kemi pasur edhe kontakte jo të rralla me presidentin dhe ai ka të drejtë të kërkojë maksimumin. Duhet të them se deri tani kam punuar në një situatë shumë normale. Presidenti është pronar dhe investon dhe ka të drejtë të heqë gjithë skuadrën. Unë ultimatumin nga presidenti e kam marrë që kur kam nisur punën me Kukësin. Objektivi minimal është një nga dy vendet e para dhe Kupa. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme dhe jemi në atmosferë shumë të mirë”, deklaroi Duro.

 

SHKARKO APP