Duro: Nuk i druhem Tiranës, sfida ndaj tyre jo vendimtare për titullin
Kategoria Superiore ditën e nesërme sjellë një duel të rëndësishëm mes Kukësit dhe Tiranës. Trajneri Shpëtim Duro e ka cilësuar si një takim që nuk do të jetë vendimtar, por që duhet fituar.
Do të mjaftoheshit me një pikë në përballjen me Tiranën?
Sigurisht që futbolli nuk ka gjëra absolute, ndaj varet si vjen edhe barazimi. Po t’i referohem ndeshjes me Bylisin, para takimit ishte i pranueshëm edhe barazimi, por në fund dolëm të mërzitur. Ne do mundohemi, ashtu si Tirana që të marrim maksimumin, por verdiktin e jep fusha.
Sa vendos kjo ndeshje për fatet e titullit kampion?
Normalisht, sa ka kaluar gjysma e kampionatit dhe është një ndeshje e rëndësishme, që do ndikojë shumë në aspektin moral, por për titullin nuk do të jetë decizive. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund, së bashku me Partizanin, që e theksova disa ditë më parë, që është pozitive që u fut në këtë garë treshe, pasi edhe kampionati do të jetë më interesant.
Nesër përballen formacioni më i mirë sulmues ndaj atij më të mirë difensiv?
Në Ballsh nuk u mërzita me barazimin, por që nuk mbyllëm ndeshjen në pjesën e dytë. Ne jemi skuadra më e mirë, si në aspektin sulmues, pas Tiranës me dy-tre gola më pak, por edhe në mbrojtje, kështu që do kujdesemi të jemi të ekuilibruar. Kemi marrë masa për mbulimin e kundërshtarëve, ashtu si edhe ne kemi lojtarë në sulm, që Tirana do ta ketë të vështirë.
Tirana po kalon një moment të mirë. Ka diçka të cilës i druheni te kundërshtari?
Respektoj Tiranën, normalisht, pasi është një skuadër që ka investuar më shumë në periudhën e verës dhe pavarësish oshilacioneve, pritej që të vinte në këtë situatë. Nuk i druhem, por e respektoj, ashtu siç duhet të na respektojnë edhe neve.
Si është gjendja e Gavazajt dhe Rrocës?
Kemi grupin e plotë në dispozicion. Rroca me Gavazajn kanë dëmtime të lehta, por jo për mos të qenë gati për sfidën.
Keni fituar në dy takimet e para të këtij sezoni, a besoni se historia do përsëritet edhe nesër?
Nuk ka ndeshje të njëjta, sepse po të kishte, nuk do të kishim luajtur nesër. Çdo ndeshje ka historinë e vet, edhe pse ne kemi fituar dy sfidat e para me lojë e rezultat. Nuk ka favoritë kjo ndeshje për të qenë realist.