Duro: Rezultati nuk ishte i drejtë, bravo i qoftë Tiranës
Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes ndaj Tiranës. Strategu i verlindorëve theksoi se humbja nuk ishte e merituar, por ai përgëzoi edh rivalët.
“Ky është futbolli. Sigurisht, me përjashtim të momenteve të para, kemi qenë më të qetë, kontrolluam lojën, shënuam. Mund ta mbyllnim takimin. Tirana po zhvillonte disa aksione dëshpëruese, por barazuan me goditje standarde dhe me dhjetë veta shënuan golin e dytë. Më vjen keq, nuk ishte rezultati real i takimit.
Ka qenë ndeshje pozitive, me përjashtim të dhjetë minutave të para. Kemi qenë në kontroll të lojës, kishte momente për ta mbyllur ndeshjen. E metë ishte përqendrimi te dy golat që pësuam. Futbolli i pranon këto, s’kemi ç’të themi, duhet t’i nënshtrohemi verdiktit të ndeshjes.
Tirana e meritoi? Tirana nuk na vodhi gjë, bravo i qoftë, shënoi dy herë edhe për mospërqendrimin tonë, sidomos te goli i dytë. Nuk duhet të na kapnin të papërgatitur për të shënuar golin e dytë. Barazimi ishte i pranueshëm, kur ishim me dhjetë lojtarë.
Zëvendësimi i Shkurtajt? Ka qenë më mirë, së bashku me Ethemin. Shkurtaj kishte dhimbje në pushim, e zgjati shumë ndeshjen, kishte kohë që kërkonte zëvendësim. E shtyva ndërrimin, sepse po luante mirë. Kërkonte më parë që të ndërrohej, por po shikoja që po e mbante skuadrën përpara, kjo ishte arsyeja pse e vonova ndërrimin”, deklaroi Duro.