Duro shpërthen ndaj lojtarëve: Nuk kam fjalë, hera e tretë që na ndodh!
Kukësi nuk fiton prej 3 ndeshjes në Kategorinë Superiore, por barazimi i fundit nga Teuta, i ardhur po në minutat shtesë ka mërzitur së tepërmi trajneri Duro. Pas sfidës në Durrës, strategu evitoi emrat, por kërkoi më shumë përqendrim.
“Nuk kam fjalë për të thënë, është ndeshja e tretë që humbim pikët në momentet e fundit. Sigurisht unë nuk kam çfarë të them për lojën në përgjithësi se të tre ndeshjet kemi qenë mirë, sidomos në pjesën e dytë, kanë qenë momentet për të mbyllur takimin, edhe sot, me shumë kundërsulme e hapësirë, por nuk mbyllëm. Edhe fati i keq na dënon dhe na heq dy pikë të rëndësishme. Nuk mund të flas për emra, se futbolli i ka këto situata, më vjen keq që i ndodhi portierit Xhika, se ka bërë ndeshje të mira e na ka shpëtuar. Ishte një rast i pastër i Abazajt, kur ishim në avantazh kishim disa mundësi e hapësira për të mbyllur takimin.
Kur nuk vjen rezultati mund të gjendet edhe gabimi, ishte momental në fund, ishte edhe me Tiranën në fund, nuk kam çfarë t’i them skuadrës, është edhe psikologjike se u bë ndeshja e tretë që na ndëshkojnë. Ishte momenti që loja të përfundonte, prisja zëvendësimin e tretë dhe goli ishte i evitueshëm. Por nuk dua të ngarkoj portierin se ka qenë ndër më të mirët. Kemi lënë pikët në fund, i vetmi pishman më ka mbetur është që kemi pasur mundësitë për të mbyllur ndeshjen para fundit, këtë kam pishman. Këtë javë ishim të ngarkuar psikologjikisht, sot skuadra ishte e ngarkuar, por mua më pëlqeu se kishte ndeshje të vështirë me Teutën që ka lojtarë cilësorë në përbërje”, deklaroi Duro.