Durrësi në qendër të botës së shahut, Shqipëria mirëpret Kampionatin Botëror të Shahut për të Rinj FIDE U14, U16 & U18
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë me publikun një lajm të rëndësishëm që e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sportit intelektual: Durrësi është sot mikpritësi i Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinj, për kategoritë U14, U16 dhe U18, një event madhështor që ka mbledhur në bregdetin shqiptar mbi 700 shahistë nga rreth 80 vende të botës.
Turneu, i cili do të zhvillohet përmes 11 raundeve plot strategji, pasion dhe talent, pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më mbresëlënëse të këtij viti në vend, duke sjellë në Shqipëri jo vetëm garuesit më premtues të shahut botëror, por edhe trajnerë, drejtues federatash dhe dashamirës të sportit të mendjes nga e gjithë bota.
Në fjalën e tij, Ministri Gonxhja theksoi se Durrësi po kthehet në një skenë ku bashkëjetojnë turizmi, kultura dhe sporti, duke treguar se Shqipëria ka kapacitete reale për të organizuar ngjarje të këtij niveli.
“Ky është një moment krenarie për vendin tonë. Shqipëria jo vetëm që mirëpret një kompeticion botëror, por e bën këtë me mikpritjen, organizimin dhe pasionin që na karakterizon. Durrësi është sot një skenë ku përzihen emocionet e garës me frymën e bashkimit kulturor e sportiv,” – u shpreh ministri.
Kampionati Botëror i Shahut për të Rinj FIDE është një prej garave më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të sportit të shahut, ku shpesh kanë nisur rrugëtimin e tyre kampionë të ardhshëm botërorë. Pjesëmarrësit do të garojnë në kategoritë për djem dhe vajza, në një atmosferë që ndërthur konkurrencën intelektuale me miqësinë ndërkombëtare.
Zhvillimi i këtij kampionati në Shqipëri përfaqëson një sukses të diplomacisë sportive, një arritje që e afirmon vendin si destinacion serioz për organizimin e eventeve ndërkombëtare. Përveç vlerave të tij sportive, ngjarja pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm turistik dhe ekonomik, duke sjellë mijëra vizitorë në Durrës gjatë ditëve të turneut.
Ky aktivitet vjen si pjesë e vizionit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për të bashkuar sportin me turizmin dhe kulturën kombëtare, duke i dhënë një dimension të ri promovimit të Shqipërisë si një vend që frymëzon, mikpret dhe bashkon.
Në përmbyllje të njoftimit, ministri Gonxhja ftoi qytetarët dhe dashamirësit e shahut që të ndjekin këtë ngjarje të jashtëzakonshme, që afirmon potencialin e të rinjve shqiptarë dhe pozicionon Shqipërinë si një vatër të re të sportit global të mendjes.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

