Dy arbitrat e famshëm martohen në fshehtësi
Ai është një nga ish arbitrat më të famshëm dhe të njohur në botë në vitet e fundit ndërsa ajo është e para femër që arbitroi një ndeshje të nivelit më të lartë në Gjermani. Bëhet fjalë për Howard Webb dhe Bibiana Steinhaus të cilët ishin në një lidhje të gjatë prej kohësh dhe së fundmi është zbuluar që ata kanë kurorëzuar lidhjen e tyre me një ceremoni të fshehtë në Hanover.
Vetëm gazeta e famshme “Bild” arriti të zbulojë ceremoninë e tyre dhe ishte Steinhaus që pohoi se martesa u zhvillua gjatë ndërprerjes së kampionateve nga ndeshjet e Kombëtareve për eliminatoret e Botërorit dhe për shkak të rregullave anti-covid gjithçka u bë në mënyrë private dhe pa dëshmitarë. Gjithashtu ajo zbuloi se nuk do të ketë as muaj mjalti pasi kufuzimet e vendosura nga qeveria gjermane nuk ua lejojnë.
Webb 49 vjeç dhe Steihnhaus 42 vjeç ishin prej kohësh në një lidhje dhe për ish gjyqtarin e famshëm anglez është martesa e dytë teksa e para dështoi pikërisht për shkak se gruaja e akuzonte se shpenzonte më shumë kohë me futbollin e jo në familje ndërsa tani të dy mund të quhen zgjedhje perfekte duke qenë të dedikuar ndaj lojës më të famshme në botë.
Kujtojmë që Webb ka gjykuar finalen e Kupës së Botës në 2010 ku fitoi Spanja e gjithashtu një finale të Champions League teksa Steinhaus është ende si pjesë e arbitrimit e përfshirë në sistemin VAR.