Dy shqiptarë në formacionin e javës në Seria A
Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmë në elitën e futbollit italian. Amir Rrahmani dhe Berat Gjimshiti janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Serie A, falë paraqitjeve shumë pozitive me ekipet e tyre respektive.
Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ishte një nga protagonistët kryesorë në përballjen ndaj Lazios. Përveç një performance solide në prapavijë, ku tregoi siguri dhe qetësi në menaxhimin e fazave mbrojtëse, qendërmbrojtësi shqiptar gjeti edhe rrugën e rrjetës.
Goli i tij rezultoi vendimtar dhe konfirmoi rëndësinë që Rrahmani ka në skemat e Napolit, jo vetëm si lider i mbrojtjes, por edhe si rrezik konstant në situatat e goditjeve standarte.
Po aq bindës ishte edhe Berat Gjimshiti me fanellën e Atalantës. Kapiteni i Kombëtares shqiptare zhvilloi një ndeshje shumë të fortë në suksesin minimal 1-0 ndaj Romës.
Gjimshiti u shqua për ndërhyrjet vendimtare, pozicionimin korrekt dhe udhëheqjen e repartit defensiv, duke neutralizuar disa nga sulmet më të rrezikshme të skuadrës kryeqytetase. Siguria e tij në mbrojtje ishte një nga çelësat e fitores së bergamaskëve dhe nuk kaloi pa u vënë re nga analistët e kampionatit.

KOHA JONË SONDAZH

