Dybala bëhet “makth” për Milanin, Juventus rimerr kreun e Seria A (VIDEO)

Juventus i besoi drejtimin e skuadrës Maurizio Sarrit në fillim të sezonit, për t’i dhënë një tjetër filozofi lojës dhe për të sjellë më shumë spektakël. Por një gjë e tillë nuk po ndodh, teksa skuadra torineze luan edhe më keq, ndërkohë që rezultatet vijojnë të merren njëlloj si me Allegrin.

 

Bardhezinjtë mundën minimalisht 1-0 sonte në mbrëmje Milanin, në një duel ku të dyja skuadrat vinin nga momente krejtësisht të ndryshme. Kuqezinjtë luajnë më mirë në 45-minutat e para duke vendosur disa herë në provë portierin Szczesny.

Në fillimin e fraksionit të dytë, Sarri i habit të gjithë duke nxjerrë nga fusha Ronaldon, për të aktivizuar Dybala-n. Portugezi nuk e priti aspak mirë duke shkuar menjëherë në dhomat e zhveshjeve. Dyba ndërkohë ishte vendimtar, pasi në minutën e 77-të, arrin që të shënojë një super gol. Sulmuesi argjentinas me një veprim të bukur shmang dy mbrojtës kuqezi dhe më pas arrin ta dërgojë topin në rrjetë me këmbën e djathtë. Me këtë fitore Juventus rimerr kryesimin me 32 pikë pas 12 javësh. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP