Dzeko shërohet nga koronavirusi, Roma është edhe në pritje të Kumbulla-s
Roma fiton dhe bind në fushën e lojës, teksa në dy ndeshjet e fundit hero i verdhekuqve është bërë armeni Henrikh Mkhitaryan, i cili ka shënuar 5 gola dhe ka qenë protagonist absolut i sukseseve të kryeqytetasve.
Megjithatë trajneri Paulo Fonseca ka marrë një lajm mjaft të mirë edhe nga përgjigjet e tamponëve, pasi ka arritur të rikuperojë sulmuesin dhe kapitenin Edin Dzeko, i cili ishte prej ditësh i izoluar për shkak të koronavirusit.
Ka qenë vetë sulmuesi boshnjak, që ka njoftuar se më në fund ka rezultuar negativ dhe se do të kryejë menjëherë vizitat mjekësore të nevojshme, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Paulo Fonseca.
Ndërkohë është ende në pritje të shërimit edhe mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili sot ka plotësuar 14 ditë nga koha kur u konstatua si i prekur nga koronavirusi dhe pret përgjigjen negative të tamponit.