“E arta”, Majlinda Kelmendi
Rio 2016
Xhudistja nga Peja, bëri që bota të flasë e të shkruajë për të. Doli triumfuese në finalen e Lojërave Olimpike, në peshën e saj 52 kg në xhudo. Arena politike mesazhe për Kelmendin
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, bëri një botë të tërë të flasë e të shkruajë për të. Pas triumfit të dielën mbrëma, në finalen e Lojërave Olimpike “Rio 2016”, në peshën e saj 52 kg në xhudo, tashmë ajo është pjesë e histori. Kelmendi bëhet kështu sportistja e parë me origjinë shqiptare që rrëmben një medalje të artë në Lojërat Olimpike. Babai i sportistes Ismet Kelmendi tha se e shihte vajzën e tij në garë pas katër viteve. Ismeti theksoi se për performacën e vajzës së tij, nuk është gëzuar vetëm familja, por mbarë kombi shqiptar. “Besoj se nuk jemi të kënaqur vetëm ne si familje, por mbarë kombi shqiptar. Ne mburremi me të. Jemi të kënaqur që Majlinda ka shkruar një faqe të historisë të Kosovës dhe të kombit shqiptar”, ka thënë Ismeti. Ismet Kelmendi u shpreh se për fitoren e Majlindës nuk janë gëzuar vetëm shqiptarët, por edhe miq të tij serbë, boshnjakë, malazezë etj.
Ai shtoi se kombi shqiptar nuk ka vetëm armiq. Pas medaljes nuk kanë munguar urimet për Kelmendin, si nga politika në Kosovë dhe ajo këtu në Shqipëri, të gjithë njëzëri janë ndjerë krenarë për xhudisten me prejardhje nga Peja. I pari që ka reaguar ka qenë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përmes një statusi ne Facebook shprehet se “Si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës. Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë.
Me këtë fitore, Majlinda shënoi për politikën e jashtme të Kosovës. Urime të gjithëve!”shkruan Presidenti. Edhe kryeministri i Kosovës, Mustafa e ka pritur me emocione medaljen e parë të artë në histori. “Kosova fitoi sot medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim”. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhgobar, ka uruar Majlinda Kelmendin për fitoren e arritur në “Rio 2016”. Zhgobar tha se ndihet i lumtur për Majlindën dhe për Kosovën. “Urime Majlinda për medaljen e artë. Jam shumë i lumtur për të dhe për Kosovën. Respekt! Urime”, ka shkuar ai.
DEKLARATA
Kelmendi: “Kam refuzuar miliona nga shtete të tjera për Kosovën”
“Kam pasur dëshirë që të përfaqësoj Kosovën dhe jam shumë e lumtur sepse e kam ëndërruar këtë moment. Kam refuzuar miliona nga shtete të tjera. Nuk ka para në botë që mund të më bëjë të ndihem. Trajneri më ka bërë njeri që jam sot. Mos të kisha Tonin si trajner nuk do të kisha këto rezultate. Medaljet të gjitha që i fitoj ia dedikoj atij dhe jam mirënjohëse deri sa të vdes”, ka thënë Majlinda. “Jam shumë e lumtur. S’kam fjalë ta përshkruajë. Më duhet pak kohë me e pa se çka ka ndodhë në të vërtetë. Kam ardhur për medaljen e artë. Po ndihem e bekuar dhe po ndihem mirë që po mundem me bo diçka për shtetin tim dhe për të rinjtë e Kosovës. Më gëzon fakti që mundem me i tregu popullit dhe të rinjve që munden me u bo kampionë olimpikë vetëm me punë”, ka thënë ajo.
Mesazhet
Urimet e politikës
Edi Rama: “Super Majlinda Kelmendi e artë”
Edhe Kryeministri ka uruar për fitoren e xhudisten. Në një postim me foto të Majlindës, Rama ka shkruar në Tëitter: “Super Majlinda Kelmendi e artë. Urime, urime, urime”.
Lulzim Basha: “Krenari e çdo Shqiptari”
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi për fitoren e pejanes në lojërat olimpike. Basha në Facebook, shkruan se: “Majlinda Kelmendi, krenaria e Kosovës dhe e çdo shqiptari”.
Sali Berisha: “Majlinda shkruaji histori”
Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një postim në Facebook, ka uruar për fitoren e Kelmendit. Berisha shkruan se: “Rio 2016, Majlinda Kelmendi shkruan historinë duke marrë medaljen e parë të artë olimpike shqiptare! Bravo & Urime”.
Hashim Thaçi: “Model për gjenerata të tëra të rinjsh”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i përjetoi emocionet e fitores së Kelmendit live në Rio, mes mesazhe urimi për Majlindës, veç të tjerash ka thënë se ajo është një model për gjenerata të tëra të rinjsh. “Majlinda, e para që solli Kosovës arin nga Olimpiada. Model për gjenerata të tëra të rinjsh që sot ta kenë Majlindën si shembull të asaj çka mund të arrihet me punë, dedikim dhe dashuri. Krenar dhe përplot emocion me suksesin e Majlindës. Flamurin e Kosovës, para miliona shikuesve anekënd botës e flakëroi në ari. Si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës. Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë. Me këtë fitore, Majlinda shënoi për politikën e jashtme të Kosovës. Urime të gjithëve”, ka uruar Presidenti Thaçi.
Kadri Veseli: “Siguroi medaljen e parë olimpike për Kosovën”
Kreu i Kuvendit të Kosovës, ka uruar xhudisten nga Peja. Ai shkruan se Majlinda Kelmendi bëri historinë. Mesazhi i Veselit: “Ajo në mënyrë brilante, siguroi medaljen e parë olimpike për Republikën e Kosovës. Majlinda rrëmbeu emocionet tona duke dhënë dëshmi se ajo me të rinjtë tanë dhe përkushtimin e trajnerëve dhe institucioneve, mund të regjistrojnë suksese që gjenerata të tëra i ëndërruan. Fitove për ne – faleminderit kampione! Tani fito për vete dhe për ne”.
Profil
Kush është Majlinda Kelmendi!
Xhudistja kosovare, garonte për herë të parë nën flamurin e Kosovës, që me sa duket i ka sjellë fat. Por cila është vajza pejane, medalistja e artë e xhudos? E lindur në 9 maj të vitit 1991, ajo mban sot tituj botërorë dhe europianë. Në vitin 2013, Majlinda u rendit e para në klasifikimin ndërkombëtar të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos për peshën 52 kg. Një vit më pas, u konsiderua xhudistja më e mirë në të gjitha kategoritë, nga Presidenti i Federatës së Xhudos Marius Vizer. Në 24 dhjetor të vitit 2014, ajo u dekorua nga Presidentja Kosovare Atifete Jahjaga me “Medaljen Presidenciale të Meritës”. Në 7 gusht të vitit 2016 ajo u bë kosovarja e parë që fitoi një “Medalje Ari” në Lojërat Olimpike Verore dhe femra e parë në gjithë shqiptarinë që merrte një medalje të tillë. Në vitin 2012, ajo përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Londrës, por nuk arriti të merrte medalje.
KOHA JONË SONDAZH

