E BUJSHME/ Igli Tare arrin akordin me Marash Kumbullën

Lazio ka zhvilluar këtë vit një sezon fantastik, duke rivalizuar Juventusin në luftën për titullin kampion. Skuadra bardhekaltër me në krye Igli Tare-n, si përgjegjës për transferimin e futbollistëve, ka ide të qarta në lidhje me të ardhmen.

Drejtori shqiptar është shumë i vëmendshëm jo vetëm për futbollistët me eksperiencë që mund të japin ende kontribut në fushë, por edhe për të rinjtë e talentuar. Portali “TodoFichajes” në orët e fundit raporton se Lazio ka arritur një marrëveshje me Marash Kumbullën.

Mbrojtësi i Kombëtares sonë, i cili aktivizohet te Hellas Verona është në listën e dëshirave të shumë ekipeve të mëdha në Itali, por edhe në Europë. Tare ka shfrytëzuar marrëdhëniet mjaft të mira me futbollistin për ta bindur që sezonin e ardhshëm të luajë në Champions League.

Kumbulla ka kontratë deri në qershorin e vitit 2022, ndërkohë që Lazio nëse dëshiron të finalizojë akordin duhet të paguajë jo më pak se 30 milionë euro. Pavarësisht këtij raportimi nuk do të jetë e thjeshtë që të finalizohet shumë shpejt, pasi Interi prej kohësh po punon me agjentin dhe me klubin e Veronës, për ta bindur që të shkojë në Milano. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP