E bujshme nga Spanja/ Jurgen Klopp mund të marrë drejtimin e Atletico Madrid
Pas largimit nga Liverpoolit në fund të sezonit 2023-24, Jurgen Klopp kishte deklaruar publikisht se do të bënte një pauzë nga futbolli. Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, në tetor, tekniku gjerman u rikthye në botën e futbollit në një rol të ri, duke u emëruar drejtor i futbollit global në kompaninë Red Bull GmbH. Një detyrë menaxheriale, larg fushës së blertë, që dukej se do ta mbante për një kohë të gjatë jashtë pankinave.
Por e ardhmja e Klopp mund të marrë një kthesë të papritur. Sipas raportimeve të fundit nga emisioni spanjoll El Chiringuito de Jugones, aventura e tij me Red Bull mund të jetë drejt fundit, pasi drejtuesit e kompanisë nuk janë plotësisht të kënaqur me ndikimin e tij në projekt. Madje, burimet flasin për një largim të mundshëm në horizont.
Në skenë ka dalë papritur Atlético Madrid. Sipas të njëjtave burime, klubi madrilen ka nisur prej ditësh bisedimet me trajnerin gjerman, me negociatat që thuhet se janë në fazë të avancuar. Operacioni po ndiqet personalisht nga Mark Rowan, CEO i Apollo Global Management dhe aksioner mazhoritar i klubit, i vendosur për t’i dhënë një impuls të ri projektit sportiv.
Interesant është fakti se Klopp, i cili së fundmi kishte refuzuar një ofertë nga Real Madrid, duket se është i intriguar nga profili i Atlético-s.
“Më pëlqen profili i Atlético-s. Shkova në Gjermani dhe jo te Bayern, zgjodha Dortmundin. Shkova në Premier League dhe jo te City, por te Liverpooli. Më pëlqen profili i Atlético-s”, citohet të ketë thënë ai.
Nëse marrëveshja finalizohet, epoka e Diego Simeone te klubi madrilen mund të marrë fund në përfundim të sezonit, me pronarët e rinj që janë gati të hapin një kapitull të ri në “Wanda Metropolitano”. Firma, sipas mediave spanjolle, mund të jetë vetëm çështje kohe.
KOHA JONË SONDAZH

