E quajti Xhakën “rrugaç”, babai i Granitit ndërhyn në TV ndaj aktivistes kosovare: T’i vijë turp, ajo është rrugaçe … (VIDEO)
Granit Xhaka me atë që ndodhi në ndeshjen Zvicër-Serbi 3-2 vijon të përbëjë lajm, madje të krijojë edhe polemika të forta. Këto polemika kanë përfshirë njerëz publikë, që nga ata me pushtet politik në Kosovë e Shqipëri deri te studiot televizive, ku komentohet Botërori i Katarit.
Ka edhe nga ata që kritikuan gjestin tjetër të Granitit, kapjen me dorë të organit gjenital si reagim ndaj pankinës së Serbisë. Aktivistja dhe analistja kosovare, Zana Avdiu, sulmoi Xhakën për sjelljen në ndeshjen Zvicër-Serbi 3-2: “Akti i Granit Xhakës është për turp. Akt prej një rrugaçi. Dhe fatkeqësia është se asnjë nuk la pa e shpërndarë atë foto. Pra, zero nivel”.
Këto fjalë bërë xhiron e mediave në tërë hapësirën shqipfolëse. Me siguri, vajtën shpejt edhe në veshët e babait të kapitenit të Zvicrës, Ragip Xhaka. I kontaktuar nga T7 në Kosovë, ai u kundërpërgjigj i revoltuar ndaj Zana Avdiut.
“Nuk jam njeri i televizioneve dhe i kamerave. Jam njeri i sakrificës, i punës dhe i burgjeve. Desha t’i tregoj asaj zonjës, Zanës, se kush jam. T’i vijë turp që i del kundër shqiptarisë, ajo nuk e di çfarë është sporti dhe çfarë është krenaria. I kundërvihet një djali që është me gjak shqiptari, që na bën të gjithë shqiptarëve krenarë. I thotë Granitit rrugaç, po më vjen keq si një femër shkruan këtë fjali.
Më së pari të ma tregojë fjalën rrugaç. Asnjë fjalë nuk e dëgjova për thirrjet e Serbisë … Familja ‘Xhaka’ nuk është dorëzuar asnjëherë ndaj pushtuesve. Graniti nuk ka bërë gjest politik, as shovinist, asgjë të tillë. Atë gjest nuk e ka bërë as me fye dhe as me sharë dikënd.
Është turpi i saj që t’i mbrojë ato teza të Serbisë. Graniti i tregoi botës që këta na kanë dhunuar nënat dhe vajzat tona, ata kanë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare. Ajo është rrugaçja, kërkoj falje për këto shprehje, por ajo duhet të ketë kujdes kur flet për familjen ‘Xhaka’. Kujdes shumë kur flet për familjen time, sepse do përgjigjesh në çdo mënyrë për ato që shkruan. Por, pastaj do të jetë shumë vonë …”, deklaroi babai i Xhakës.