E rrallë, te Schalke futbollistët do vendosin vetë nëse do të duan që të luajnë

Bundesliga do të rikthehet me një super ndeshje më 16 maj me derbin e Ruhrit Borusia Dortmund–Schalke 04. Në një periudhë të pazakontë edhe përqasja me futbollin është e pazakontë dhe diçka e tillë ka ndodhur tek minatorët e Schalkes, me anëtarin e bordit drejtues Jochen Schneider që ka bërë të ditur se asnjë nga lojtarët apo stafi teknik nuk është i detyruar të vijojë punën.

Periudha e karantinës e shoqëruar me seancat stërvitore është zbatuar sipas rregullave, ndërkohë që për drejtorin sportiv gjithçka është bërë në grupe të vogla futbollistësh dhe trajnerësh.

“Të gjithë jemi të lumtur që u rikthyem në stërvitje dhe është një kënaqësi që u ritakuam, tha Schneider për shtypin. Kam folur me lojtarët në grupe të vogla që në fillim të javës dhe i bëra të ditur që pjesëmarrja në stërvitje, por edhe në ndeshjet zyrtare, është fakultative gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Asnjë nuk është i detyruar të fillojë aktivitetin”, u shpreh drejtori sportiv.

Gjithashtu tek Schalke i është dhënë e drejta lojtarëve që në rast se ndjejnë kërcënimin se mund të infektohen me virusin Covid-19, atëherë mjafton një lajmërim tek drejtuesit dhe më pas mund të largohen pa asnjë penalitet.

I pyetur nëse ndonjëri nga futbollistët ose anëtarët e stafit teknik ka kërkuar që të largohet drejtori sportiv i Schalkes Jochen Schneider bëri të ditur që nuk ka patur asnjë kërkesë.

SHKARKO APP