Egbo: Derbin e fiton kush bën më pak gabime, kam vendosur të bëj pak pushim!
E premtja në futbollin shqiptarë do të sjellë derbin mes Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë shpresojnë që ky derbi, i pari sezonal, të ketë të njëjtin impaktin si një vit më parë, ku nën drejtimin e Egbos thyen pas afro gjashtë vitesh Partizanin për të nisur më pas një cikël rekord që i riktheu te titulli kampion pas 11 vitesh. Emanuel Egbo në një intervistë të dhënë për “Sport News” në “News24” përpara derbit të kryeqytetit, foli për momentin që po kalojnë bardheblutë.
“Do të ketë ndjesi të veçantë si derbi që është, duke pasur parasysh se sezonin e kaluar arritëm të merrnim 2 fitore dhe 1 barazim në 3 ndeshjet e fundit. Jam kurioz ta shoh si do të jetë derbi këtë herë. E kam fituar si lojtar dhe si trajner, tani unë do ta shoh si tifoz. Është një ndjesi tepër e veçantë.
Për momentin nuk e di në çfarë gjendje është ekipi. Çfarë motivacioni ka, si janë nga ana fizike dhe psikologjike. Po të kisha qenë afër do të thoja si e mendoja. Nuk e di çfarë mund të shpjegoj. Gjithmonë derbi është derbi, nuk ka rëndësi se cili ekip është më në formë. Do të fitojë ai ekip që do të bëjë më pak gabime dhe do të jetë më i motivuar në fushë. Nuk duhet ngarkesë e madhe emocionale. Çdo lojtarë që do të ketë vetëbesimin optimal, do të triumfojë.
Rëndësi ka 3 pikë. Tifozët janë ata që e shijojnë më shumë rezultatin 5-1, për mua ndeshja më e rëndësishme ka qenë ajo që fituam 2-1. Fituam në minutat shtesë. Ajo është më e bukur. Ka qenë ndeshja e parë pas 6 vitesh që po fitonte Tirana me Partizanin. Ajo ka qenë ndeshje më emocionuese se 5-1. Për mua 2-1 ishte kryendeshja e sezonit vjet.
Titulli? Është herët të diskutohet për titullin kampion. Është shumë e gjatë rruga. Ekipet kanë luhatje. Ka qenë Vllaznia, në vendin e parë tani është Partizanit. Në vjet ishim 12 pikë mbrapa Partizanit dhe arritëm të fitonim titullin. Futbolli asnjëherë nuk mund të bëjë llogari që në fillim. Kur të vijë sprinti i fundit bëhen llogaritë. E fituam kampionatin vjet sepse arritëm të merrnim pikët me ekipet e vogla. Tirana është kampionia në fuqi. Kur të mbarojë sezonin do të shikojmë kush është kampionia në fuqi.
Ofertat? Po bëj pak pushim. Normalisht ofertat po vijnë. Mbas pushimeve do të vendosë. Asgjë nuk është e fshehtë në këtë botë, kur të bëj lëvizjen e radhës do e merrni vesh”, u shpreh Egbo.