Egbo: Duhet të përballojmë Europën dhe kampionatin, merkato s’është mbyllur!
Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo kërkon që ekipi të jetë i plotë për të nisur kampionatin dhe për të tentuar kualifikimin në fazën e grupeve. Në një prononcim për mediat, strategu bardheblu u shpreh optimist për të ardhmen.
“E rëndësishme është që ekipi po mbushet me lojtarë. Do të shohim në ditët në vazhdim të afruarit. Në këtë moment po kontrollojmë gjendjen fizike të tyre dhe më pas do të veprojmë. Në ndeshje do t’i ndjekim me kujdes. I kemi ndjekur edhe videot e tyre. Janë lojtarë të mirë apo ashtu duken, por është fusha ajo që flet me vepra. Në fund është e rëndësishme që jemi të plotë.
Shorti i Championsit? Nuk e pres me ankth shortin. Nuk kam as preferenca. Preferenca ime është që të futemi në fushë dhe të marrim maksimumin, pra të kualifikohemi duke dhënë 100 për qind, paçka kundërshtarit. Nëse kualifikohemi në grupe, na duhen lojtarë cilësorë. Duhet të përballojmë si Europën dhe kampionatin. Në këtë prizëm merkatoja nuk është mbyllur. Do të shohim lojtarët që kemi nëse na duhen apo jo.”, deklaroi strategu i bardhebluve.