Egbo: Fillimi i mbarë gjysma e punës, kam vetëm një pakënaqësi
Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo u shfaq i lumtur për fitoren kundër Kukësit, por sipas strategut nigerian ekipi ka eksperiencën e duhur ndaj dhe duhet ta kishte mbyllur ndeshjen duke shënuar golin e tretë. Sipas tij ekipi kaloi në eufori në fundin e fraksionit të parë.
“Është një fillim i mbarë, siç i dhashë edhe çunave. Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Ata ia dolën të tregojnë paraqitje shumë të mirë, duke treguar shpirt gare. Nëse Muçi do kishte shënuar golin e tretë në rastin që kishte, do isha më i qetë.
Tani nuk janë më lojtarët e rinj, pasi ata kanë mbi një muaj e gjysmë këtu. Ata janë paraqitur shumë mirë sot, por edhe pjesa tjetër e ekipit luftuar për njëri0tjetrin, pikërisht si një ekip kampion. Unë dua një ekip dhe jo lojtarë individuale dhe pikërisht këtë bëmë sot. Nga fundi i pjesës së parë, kur po fitonim 2-0 kaluam në eufori. Ata duhet ta menaxhojnë më mirë lojën. Futbolli ka treguar se nuk je kurrë i sigurt, pasi edhe Milani në finale e kishte mbyllur 3-0 pjesën e parë, por u barazua në pjesën e dytë.
E zgjidhëm shumë shpejt ndeshjen. E dimë që duhet ta shfrytëzojmë çdo rast dhe lojtarët këtë bënë. Najdovski në mesfushë? Jam shumë i kënaqur, jo vetëm me të, por me të gjithë skuadrën. Nuk është vetëm ai që bëri mirë, por të gjithë”, u shpreh Egbo.