Egbo: Kemi krijuar një identitet, e kam gati planin për Kukësin

Trajneri i Tiranës, Emanuel Ebgo në konferencën për shtyp para super sfidës ndaj Kukësit është shprehur se skuadra e tij do të synojë vetëm 3 pikët në këtë ndeshe. Strategu nigerian e ka pranuar se ka gati një strategji, por nuk e ka zbuluar për mediat.

“Nuk duhet të mendojmë si tifozë, por duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% nga vetja. Të treja rezultatet janë brenda. Do tentojmë të japim maksimumin dhe shpresojmë në fund të marrim atë që duam.

Çfarë ka Tirana më shumë se Kukësi?

Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë. Atë duhet të bëj ekipi im. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim.

Ku keni planifikuar ta godisni Kukësin?

Ne e dimë si skuadër se çfarë do të bëjmë. Nuk kam për të nxjerrë strategjinë time për nesër, ajo do duket në fushë.

A jeni vënë nën presion nga deklaratat e presidentit?

Nuk ka asnjë presion, pasi u takuam dhe u sqaruam. Ai ka reaguar pas ndeshjes, e kuptoj çfarë ka thënë. Ai nuk është se ka folur keq. Është çdo gjë brenda familjes, nuk ka asnjë presion dhe asnjë problem.

Fillimisht Kukësi dhe më pas Partizani. A është kjo javë vendimtare për sezonin?

Kemi ndeshje me Kukësin, pastaj do flasim për ekipin tjetër. Nuk e di fare me kë e kam ndeshjen tjetër, ndaj kur të mbarojmë këtë me Kukësin, do shohim kalendarin dhe do të përgatitemi.

Kritikat e presidentit do ndikojnë në formacion?

Nuk kam parë asnjë kritikë nga ato që ka thënë presidenti. Jemi të qetë duke filluar nga presidenti deri të punëtori i fushës. Në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë tona.

Nëntë fitore radhazi dhe një barazim, a janë një motivim ekstra për Tiranën?

Normalisht, që janë të njëjtët lojtarë që kanë marrë këto rezultate dhe kjo ka bërë të rriten uniteti, harmonia, vetëbesimi dhe uria. Ekipi ka krijuar një identitet që edhe barazimin e quan një rezultat jo të mirë. Kam besim te grupi dhe çdo lojtar që futet kam besim se do japë maksimumin. Me ndihmën e Zotit do marrim atë që meritojmë.

Kë do i hiqnit Kukësit?

Nuk dua të përmend emra fare. Unë si trajneri i Tiranës flas për ekipin tim.

A ju ndërhyn Halili në formacion?

Jo.

SHKARKO APP