Egbo: Në Shqipëri ka racizëm, për të ardhmen nuk kam asnjë koment

Emanuel Egbo bëri disa ndryshime në formacion në Lezhë, por mori një përgjigje të mirë prej tyre duke dalë me një barazim1-1 ndaj Besëlidhjes, në një sfidë ku fatet e kualifikimit ishin vendosur që në ndeshjen e parë në kryeqytet. Strategu nigerian në intervistën pas ndeshjes foli edhe për të ardhmen e tij, duke mos e mohuar se në Shqipëri ka racizëm.

“Po mora përgjigjet e duhura dhe jam shumë i kënaqur për mënyrën se si e interpretuan lojën, ndonëse ishte një orar i papërshtatshëm për të luajtur, për shkak të temperaturave. Fillimisht kërkuam të jemi në ekuilibër, por më pas pësuam një gol dhe u zhvendosëm më përpara, ku gjetëm golin e barazimit dhe mund të bënim edhe më shumë.

E ardhmja? Nuk kam asnjë koment. Të gjithë kanë të drejtën e tyre të flasin, ndërsa unë përqendrohem te puna ime me Tiranën.

A ka racizëm? Padyshim që po, pasi do të isha gënjeshtar po të thosha të kundërtën. Kam kaluar gjysmën e jetës këtu dhe nuk kam pasur probleme me njeri, por racizëm ka, ndonëse nuk mund ta përcaktoj unë se në çfarë mase shfaqet kjo sjellje. Megjithatë në të gjithë botën ka racizëm, madje edhe në Nigeri ka nacionalizëm.

Shitja e Muçit? Nuk është gabim, pasi jemi një klub që kemi nevojë edhe për të ardhura, ndaj nuk mund të refuzojmë kur vjen një ofertë e mirë. Është një mundësi e mirë që të përfitojë edhe Muçi, por edhe klubi i Tiranës.

Sfida me Skënderbeun? Duke qenë se ne e siguruam kualifikimin që në ndeshjen e parë, mendoj se mund të jemi disi më të freskët në fundjavë, por nuk do të ndikojë shumë gjithsesi”, u shpreh Egbo.

SHKARKO APP