Egbo: Nuk është boks, kemi 50 % shanse kundër Young Boys!

Trajner i Tiranës, Emanuel Egbo është shfaqur optimist për duelin kundër Young Boys, që do të jetë e vlefshme për një biletë për një vend nëgrupet e Europa League. Para nisjes për në Zvicër strategu nigerian ka theksuar se shanset e bardhebluve janë 50 me 50.

“Do jetë ndeshje që duhet ta shijojmë dhe të japim maksimumin. Të provojmë fatin tonë në fushë dhe të marrim atë që na takon. Young Boys ka bërë 2 ndeshje në kampionat, janë më në ritëm se ne. 2 ndeshjet që kemi luajtur në Ligën e Kampionëve dhanë një impuls pozitiv. Nuk do luajmë me frikën e ndeshjes së parë. Ekipi do të futet në lojë siç e filluam pjesën e dytë me Dinamon dhe si e luajtëm ndeshjen me Crvena Zvezdën.

Nuk jemi në presion, janë ata që janë në presion. Në letër janë më të mirë se ne. Do të shkojmë atje, për të dhënë maksimumin nga vetja. Kemi shanset 50% me 50% për t’u kualifikuar. Kush do të bëjë më pak gabime do ta fitojë ndeshjen. Kemi analizuar kundërshtarët, në ditën e ndeshjes do ta dimë si ta përballojmë. Duhet të përfitojmë nga gabimet e atyre, për ta fituar ndeshjen.

Largimet? Për mua nuk kanë rëndësi emrin. Rëndësi ka çfarë japin brenda fushës. Ekipi i futbollit nuk është si boksi 1 kundër 1. Është grupi ai që ka rëndësi. Kemi bërë analizën e tyre, ka lojtarë që kanë ikur dhe janë dëmtuar. Ata kishin objektiv të futeshin në grupet e Champions-it. Nuk do të jenë shumë të motivuar. Kanë probleme brenda. Është një ndeshje që i kemi studiuar dhe do t’i shohim si mund t’i përballojmë.

Largimi i Muçës? Futbolli kështu e ka. Një trajner në Nigeri më ka thënë, 20 futbollistë nuk mund të luajnë bashkë për 20 vjet. Ai iku në mënyrë paqësore. Vendosi vetë rrugën. I urojmë fat.

Bojkoti? Nuk mendoj që kampionati nuk do zhvillohet. Mendoj se do zgjidhet, përgjigja e dytë është se nuk e kam në dorë. E vendosin presidentët e klubeve dhe qeveria”, deklaroi Egbo në konferencë për mediat.

SHKARKO APP