Trajneri i Tiranës, Egbo rrëfehet në BBC: Ka shqiptarë që nuk donin fitoren time për shkak të ngjyrës

Klubi i Tiranës u shpall matematikisht pak ditë më parë si kampionia e Kategorisë Superiore dhe trajneri i saj, Ndubuisi Egbo mori vëmendjen e shumë mediave botërore si drejtuesi i parë afrikan që do të drejtojë një klub në Champions League sezonin e ardhshëm.

Në një intervistë të gjatë për BBC, Egbo rrëfehet për aventurën e tij në Shqipëri që nga koha kur nënshkroi për herë të parë kontratën si futbollist deri tek arritja më e fundit e fitimit të titullit kampion. Një vëmendje të veçantë në këtë intervistë të trajnerit nigerian që ka dhe pasaportë shqiptare ze dhe çështja e racizmit që për Egbo është një fenomen që ka përhapje të gjerë në Shqipëri.

”Ka njerëz që nuk donin që unë të fitoja për shkak të ngjyrës time të lëkurës. Ka racizëm. Njëherë në një ndeshje më hodhën banane dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk bëri asgjë sepse bëhej fjalë për një ndjeshje jashtë fushe dhe kishte shumë fansa. As policia nuk reagoi sepse kishin frikë nga tifozët. Mu desh vetëm ta pranoja këtë gjë”.

Më tej, trajneri i Tiranës tregon se shpesh herë ka duruar dhe fyerje nga më të ndryshmet pasi njerëzit që i bënin ato nuk mendonin se ai dinte shqip. ”Njëherë në një autobus dy burra pas meje bisedonin me njëri-tjetrin dhe thonin për mua që mund të jem i Al Kaedës. Iu ktheva dhe iu thashë “A do t’i jepni fund”. Nuk dinin ku të fshiheshin”. Në fund të intervistës Egbo tregon se tashmë pas suksesit me Tiranën ka marrë shumë oferta për të drejtuar klube të ndryshme.

SHKARKO APP