Egbo: Rregullorja e thotë qartë, Partizani të luajë edhe me lojtarë të akademisë!
Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo kërkon që derbi ndaj Partizanit të luhet me çdo kusht edhe nëse te skuadra e Partizanit do të ketë raste të tjera pozitive. Duke folur në konferencën para ndeshjes, strategu nigerian refuzoi të fliste për hetimet për duelin ndaj Bylisit.
“E kemi përgatitur si ndeshjen e radhës. E dimë që është derbi i fundit i këtij sezoni. Mendoj që jemi përgatitur siç duhet. Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me kismet të Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet. Ne do futemi në fushë dhe do të fokusohemi te ndeshjet që kemi fituar. T’ia bëjmë yzmetin dhe në fund Zoti do e shpërblejë punën. Çdo klub ka objektivin e vet. Do vazhdojmë me objektivin që na ka vënë klubi në fillim të sezonit.
Hetimet? Ka persona të tjerë që mund ta japin këtë përgjigje. Unë jam trajneri, dhe merrem me atë që ndodh brenda fushës. Ka drejtor, president, menaxher, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata. Nuk e di fare çfarë kishte Komisioni i Etikës sot. Ne fokusohemi te fusha, atje kemi punë. Aty vazhdojmë punën tonë.
Dy lojtarët e infektuar te Partizani? Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë.
Anulimi i mundshëm i sfidës? Rregulloja e thotë qartë që nuk e ndalon zhvillimin e ndeshjes. Ndeshja vazhdon. Lojtarët e infektuar izolohen. Çdo lojtar tjetër qofshin ata edhe të akademisë mund të aktivizohen pa problem, janë lojtarë të klubit qoftë të Tiranës apo Partizanit’, u shpreh Egbo.