Egbo: Shyqyr që nuk humbëm më thellë në Ballsh, me Kukësin vendimtare!
Tirana të hënën do të ketë mundësinë për të “vrarë” kampionatin e këtij sezoni. Trajneri Emanuel Egbo duke folur në prag të ndeshjes është shprehur se ishte i lumtur që humbja ndaj Bylisit nuk ishte më e thellë. Sipas tij vetëm Zoti e di nëse kjo ndeshje do të jetë vendimtare për titullin kampion.
“Me Kukësin mendoj që është një ndeshje që nuk ka nevojë për të karikuar lojtarët. Është një ndeshje si derbi dhe mund të vendosë kampionatin. Do mundohemi të japim maksimumin në fushë dhe shpresojmë të marrim rezultatin që na takon.
Spekulimet për ndeshjen me Bylisin? Ato që kam thënë pas ndeshjes atje nuk dua t’i përsëris. Ishte ndeshja e parë në Kupë dhe i pushuam disa lojtarë duke ditur se kishim ndeshje me Kukësin. Shyqyr humbëm 2-1 dhe jo 3-1 dhe shpresojmë te përmbysja.
Mënyra se si erdhi humbja? Nuk më shqetëson shumë, pasi disa nga ata lojtarë nuk kishin shumë minuta. Nuk mund të them se në ndeshjen me Bylisin ka qenë Tirana më e dobët, pasi ishte vapë e madhe. Ndaluam gati 3 herë për pushim. Unë mendoj se është e rëndësishme që nuk e humbëm me rezultat më të thellë.
Ndeshja me Kukësin vendos titullin? Atë e di Zoti dhe presim çfarë është rezervuar. Mungesa e Shkurtajt? Mendoj vetëm për ekipin tim, pasi edhe në kemi mungesa. Shkurtaj është një nga më të mirët e kampionatit, por të shikojmë nëse do jetë në fushë.
Ne do fokusohemi te lojtarët që janë të gatshëm dhe shpresojmë që të japim maksimumin. Ne do shkojmë për të dhënë maksimumin. Jemi të qetë pas ndeshjes në Ballsh, pasi janë ndeshje të ndryshme në Kupë dhe në kampionat”, deklaroi trajneri i Tiranës në prag të sfidës me Kukësin.